Gjendja mjedisore në Durrës sa vjen e rëndohet nga mbetjet urbane që kanë pushtuar qytetin pasi nuk janë mbledhur nga mjetet e ndërmarrjes së pastrimit të bashkisë. 

Mungesa e një vendgrumbullimi, pas kthesës së projektit për dërgimin e mbeturinave në Sharrë, ka bërë që mbetjet të derdhen kudo rrugëve të Durrësit.

Kazanët janë të tjembushur, njësoj edhe trotuaret dhe mbeturinat kundërmojnë erë pasi nuk pastrohen prej ditësh, në një kohë ku për shkak të pandemisë rekomandohet pastërti maksimale.

Anulimi i vendimit për të dërguar mbetjet urbane të Durrësit në landfillin e Sharrës, (pas mbylljes së atij në Porto Romano për t’u kthyer në park) dhe krijimin e një pike grumbullimi në Sukth bëri që për ditë më radhë banorët e kësaj zone të ngrihen në protestë.

Ata ndaluan dhe bllokuan 12 kamionë me mbeturina duke mos lejuar shërbimet e komunales t’i depozitojnë aty.

Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit njoftoi dy ditë më parë se “është në bisedime me qeverinë shqiptare për të zgjidhur përfundimisht problemin se ku do të depozitohen mbeturinat e bashkisë së Durrësit. Po kështu bashkia e Durrësit i ka kërkuar Ministrisë së Financave një fond të posaçëm që do të bëjë të mundur depozitimin e mbetjeve në vendpozitimin më të afërt me Durrësin.”