Kolapsi mjedisor që ka përfshirë Durrësin në prag të sezonit turistik me çështjen e mbetjeve urbane, shqetëson jo pak banorët e këtij qyteti.

“Pushtimi” i Durrësit nga plehrat në kohë pandemie, shton më shumë rrezikun që i kanoset shëndetit të gjithësecilit në një situatë të tillë.

Ndaj banorët kërkojnë që kjo problematikë të marrë një zgjidhje të menjëhershme ndërsa apelojnë që bashkia të jetë më e përgjegjshme.

“Të pastrohen plehrat, bashkia të jetë më e përgjegjshme”, shprehet një qytetar.

“Një qytet që të jetë modern duhet të përpunojë plehrat, ujërat e zeza dhe të ketë ujë 24 orë. Nëqoftëse i ka këto edhe koronavirusi trembet.”, thotë një qytetar tjetër.

Nga grumbujt me mbeturina nuk ka shpëtuar as vetë Bashkia Durrës apo zonat turistike të qytetit, siç është edhe Amfiteatri.

Kazanët e mbeturinave janë të tejmbushur në çdo rrugë të qytetit, me plehra qëndrojnë në trotuar prej ditësh pavarësisht se rekomandohet higjienë maksimale dhe dezinfektime të herëpashershme për të luftuar pandeminë.

Me ardhjen e stinës së verës, qyteti bregdetar duhet të përgatitej për të mirëpritur turistët e huaj e vendas ndërkohë që në realitet nuk po gjen dot shpëtim nga mbetjet urbane pasi bashkia nuk ka fonde për t’i tranpsortuar ato drejt landfillit të Sharrës.