Durrësi respekton karantinën. Pamjet e filmuara nga fotografi Denis Simaku në rrugët kryesore të qytetit bregdetar i ngjajnë ato të një qyteti pa njerëz.

Por ndryshe nga ditët e tërmetit, kur njerëzit kishin braktisur qytetin e dëmtuar rëndë, këtë herë ata janë të mbyllur në shtëpitë e tyre për të respektuar masat drastike të marra nga qeveria dhe apelet e vazhdueshme për të qëndruar në shtëpi. Në rrugë shihet vetëm ndonjë makinë dhe ndonjë qytetar që nxiton për në shtëpi.

Ndryshe nga paraditja kur kishte qytetarë të paktë që qarkullonin për nevojat e tyre apo për të bërë një shëtitje, nata i ka mbledhur të gjithë në shtëpi. 

Ndërkohë, automjetet e policisë Bashkiake vijojnë edhe mbrëmjen e sotme t’i bëjnë apel qytetarëve përmes altopalantëve të qëndrojnë në shtëpi, të shmangin lëvizjet e panevojshme. 

Vetëm kështu do të mund të parandalojmë përhapjen e koronavirusit, që deri tani ka shkaktuar një viktimë në Durrës, ndërsa janë 4 persona të tjerë të prekur, mes të cilëve një mjek.

Në të gjithë vendin, numri i të prekurve nga koronavirusi shkoi në 33 persona, nga të cilët 8 janë të shtruar tek infektivi.