Durrsakët mbyllen brenda shtëpive. Sytë e endjen nga fqinjët në Bergamo të Italisë. Një javë nga pezullimi total i jetës publike sociale dhe ekonomike në vend, qeveria ashpërsoi masat kundër Koronavirusit. Oraret e reja të vendosura për daljen e popullatës nga shtëpitë, me masa shtrënguese edhe më të ashpra se ditët e para,  kanë bërë që qytetarët të ngujohen brenda.

Pas orës 10:00 paradite pothuajse qyteti është zbrazur totalisht, dhe në rrugë ka mbetur vetëm ndonjë kalimatar i cili ndoshta nuk ka llogaritur kohën për t’u futur brenda shtëpisë. Në rrugë kanë dalë policia e cila pas orës 10:00 paradite, ka nisur kontrollet e qytetarërve në rrugë e të makinave, duke ashpërsuar kontrollet.

Kryeministri ka vendosur që të gjithë ata qytetarë që nuk respektojnë oraret e përcaktuara do të gjobiten me 100 mijë lekë, ndërsa për shoferët hiqet tre vjet patenta e gjobiten me 500 Euro.

Masat ndëshkuese të cilat po ashpërsohen ditë pas dite vijnë si pasojë e gjendjes në të cilën është Italia. Në vendin fqinj, i cili ka qënë gjithmonë toka e premtuar e durrsakëve dhe jo vetëm, viktimat kanë shkuar deri në thuajse 500 në 24 orë. Të gjithë durrsakët po shikojnë këto ditë se si në Bergamo, epiqendrën e shpërthimit të Covid 19, pandemia ka shkatuar kaos në spitale dhe në varrimin e viktimave që humbasin jetën.

Që Shqipëria t’i shpëtojë një situate të tillë, njerëzit duhet të qëndrojnë brenda, të rrisin masat e kujdesit vetjak të higjenës, e të mos takojnë askënd.

K.H.