“Bëni durim, sepse grupet e inspektimit do të shkojnë në çdo banesë e pallat, bonusi i qerave do të lëvrohet nga fillimi i janarit!”

Kështu deklaroi nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri në një prononcim për “DurrësLajm” pas dyndjes dhe radhëve të gjata të bëra nga qindra qytetarë para bashkisë së qytetit bregdetar.

Tahiri thotë se numri i familjeve që përfitojnë bonusin e qerasë mund të shkojë mbi 2500, 1310 prej të cilave janë miratuar nga Këshilli Bashkiak.

Ai sqaroi se për familjet me tre anëtarë bonusi shkon 20 mijë në muaj, për familjet me 4 anëtarë 25 mijë lekë në muaj, e për ato me mbi 6 anëtarë 30 mijë në muaj. 

Problematikës së ngritur nga banorët e dy komplekseve, “Jedas Konstruksion” e “Kristi Konstruksion”, në lagjet 17 e 18, ku qytetarët nuk lejohen të hyjnë në apartamentet të cilat ruhen me forca police, Tahiri thotë se kjo masë bëhet për të garantuar jetën e tyre, pasi pallatet dhe shkallët janë të rrënuara.

“Deri sa një kompani të nisë rikonstruksionin e të garantojë hyrjen e banorëve në apartamentet e tyre, këto kompleke do të ruhen me policë e nuk do të lejohen banorët as për të marrë rrobat apo orenditë e tyre”, tha Tahiri.

“Çdo banesë do të verifikohet, çdo dëm po ashtu. Bëni durim sepse grupet e verifikimit do të shkojnë në çdo banesë, kjo është e padiskutueshme”, thotë nënkryetari i bashkisë.

K.H.