DW: Gjermania po përpiqet deri në minutën e fundit që të çojë përpara çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

02/12/2020 - 21:07

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Adebahr, tha të mërkurën (02.12) në konferencën e rregullt në Berlin se po punojmë me intensitet të plotë për çeljen sa më shpejt të negociatave.

“Këshilli i BE-së tha në mars të këtij viti që të fillojnë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe qëllimi ynë mbetet që të fillojmë sa më shpejt me këto negociata. Ne jemi të mendimit se Bashkimi Evropian ka dhënë fjalën dhe këtu kemi të bëjmë me besueshmërinë e BE-së dhe me stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, kështu që ajo që di unë deri tani është se ende po bëhen konsulta intensive në Bruksel dhe në nivelin bilateral në vendet anëtare dhe se këto vazhdojnë. Ne nuk po dorëzohemi dhe duhet të arrijmë përparime”, tha Maria Adebahr, zëdhënëse e ministrisë së jashtme gjermane në përgjigje të një pyetjeje ndaj korrespondentes së DW në Berlin.

Adebahr nuk tha nëse do të miratohet kuadri negociues me Shqipërinë: Ne dëshirojmë që këto negociata të fillojnë sa më shpejt, tha Adebahr. Një ditë më parë Euronews Albania kishte publikuar draftin e takimit të Këshillit të Ministrave të Evropës që do të mbahet në 8 dhjetor të këtij viti. Aty thuhej se vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të shtyhej për në mars të vitit të ardhshëm. Por deri DW mësoi nga burime të mirëinformuara se as takimi i sotëm i ambasadorëve të BE-së, ku do të trajtohej kjo çështje nuk solli një rezultat.

Shkëputje e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut

Qarqe diplomatike nga Berlini, i thanë DW se aktualisht po bëhet një përpjekje që të miratohet së paku korniza negociuese me Shqipërinë, pavarësisht nëse do të arrihet një kompromis mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Kjo është një ide e sekretariatit të Këshillit të BE-së, e cila mbështetet edhe nga Gjermania. Por qarqet i thanë DW se ka një sërë vendesh skeptike ndaj këtij propozimi.

Vëzhgues në Berlin e Bruksel mendojnë se miratimi i kornizës negociuese me Shqipërinë, edhe pse bëhet fjalë për një akt me natyrë teknike, do të dërgonte një sinjal jo të mirë ndaj Maqedonisë së Veriut. Kjo e fundit aktualisht pengohet nga Bullgaria për shkak të një grindjeje për përkatësinë historike të gjuhës dhe kombit. Ndërsa për rastin e Shqipërisë vendet skeptike janë të pakënaqura edhe për faktin, që nuk janë përmbushur parakushtet e vëna nga BE-ja, për çeljen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

Kancelarja Angela Merkel. në fillim të javës ishte shprehur e gatshme për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut qysh brenda këtij viti, ndërsa me Shqipërinë, ajo tha se nuk mund ta premtonte se do të arrihej qysh këtë vit, pro së shpejti.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Prifti i Kishës Ortodokse në Lezhë, Koço Kapedani është dhunuar nga punonjësi i një firme private.

Një kasetë elektrike ka marrë flakë pranë një biznesi në bulevardin "Dyrrah".

Moti i ftohtë që ka përfshirë vendin ka bërë që edhe në qytetin e Durrësit të ketë ngrica.

Temperaturat e ulëta në vendin tonë kanë sjellë ngrica dhe reshje dëbore në sasi të mëdha. Së fundmi lidhur me situatën në rrugë, ka reag

Bashkëshortja e mjekut të njohur, Profesor Arjan Harxhit, doktoreshë Erjona Shehu ka reaguar sot në rrjetet sociale për të përgënjeshtrua

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit, Bib Ndreca.

Ultësira perëndimore paraqitet në dominimin e motit të kthjellët, por të ftohtë.

Porti i Durrësit në të cilin përpunohet 90 për qind e tregtisë së mallrave në vend pa një rritje jo të zakontë te importeve të materialev

Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, me anë të një lajmërimi, njofton të gjithë abonentët, se në vend pritet që të ketë reshje

Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit janë shënuar 474 raste të reja të infektimeve dhe kanë humbur jetën 7 persona, t