Opozita jashtëparlamentare i është rikthyer idesë së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përsëritjes në të njëjtën ditë të Lokaleve 2019 dhe rifillimit të protestave, për të arritur këtë synim. Por shumica socialiate dhe qeveria Rama vazhdojnë të ftojnë opozitën në dialog në institucione. Ato ritheksojnë që zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në përfundim të mandatit të tyre qeverisës, në verën 2021.

Në një takim që Partia Demokratike (PD), e cila kryeson opozitën jashtëparlamentare zhvilloi të dielën, (29.09.2019) me ish-deputetët e saj dhe me kryesinë e partisë, kryetari i saj Lulëzim Basha kërkoi intensifikimin e punës së degëve të partisë në rrethe, për përgatitjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe vijimin e aksionit opozitar me protesta.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare – zgjidhja e krizës politike?

Dalja nga kriza politike dhe institucionale që ka mbërthyer Shqipërinë që nga shkurti i këtij viti, është një nga nëntë kushtet në rezolutën e Bundestag-ut gjerman, për qëndrimin e tij pro Shqipërisë në vendimin e Këshillit Europian, lidhur me hapjen e negociatave të pranimit.

„Zgjidhja e krizës, që mbetet imperativ dhe objektiv kryesor yni, vjen vetëm duke iu drejtuar sovranit me zgjedhje të lira e të ndershme. Zgjidhja e krizës janë zgjedhjet e parakohshme, përgatitja e PD për zgjedhje te parakohshme parlamentare dhe zgjedhje vendore në të njëjtën ditë. E gjithë partia, jo vetëm forumet, zbret ne terren dhe nis përgatitjet dhe kontaktin me qytetarët për zgjedhjet si zgjidhja e krizës, ” theksoi Basha të dielën.

Zgjedhje të parakohshme me apo pa Ramën kryeministër?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për të dalë nga kriza politike dhe institucionale nuk janë një objektiv i tanishëm, pasojë e kushtit të Bundestag-ut për hapjen e negociatave të pranimit.

Protestat e opozitës, nga shkurti deri në qershor të këtij viti synuan largimin e Ramës, rrëzimin e qeverisë së tij, krijimin e një qeverie teknike që do të përgatiste zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Në takimin e zhvilluar të dielën, Basha nuk ka përmendur kërkesën thelbësore të protestave të pranverës së kaluar: largimin e kryeministrit Rama, që Basha e pati quajtur,”kusht të panegociueshëm” përballë kushtit të panegociueshëm të Ramës ”zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në fund të mandatit të dytë qeverisës të PS”.

Por pavarësisht nga këto „kushte tw panegociueshme” të së shkuarws së afërt, Basha tha në takimin me ish-deputetët e PD dhe kryesinë e saj se „zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të zhvillohen shpejt”.

Protestat – rifillojnë pas 18 tetorit

Lideri i opozitës Basha, u ka kërkuar strukturave të PD të përgatiten për rifillimin e protestave të opozitës. Por ai ka bërë me dije se ato nuk do të zhvillohen deri në datën 18 tetor, kur Këshilli Europian do të mblidhet për të marrë vendimin lidhur me negociatat e pranimit.

Reforma zgjedhore- a do të vijojë dialogu qeveri-opozitë?

Synimi i PD dhe opozitës jashtëparlamentare për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe përsëritjen në të njëjtën ditë të Lokaleve 2019 ndodh kur sapo ka filluar dialogu mes palëve për reformën zgjedhore, kryerja e së cilës përbën një kusht tjetër të rezolutës së Bundestag-ut gjerman. Në tryezën e organizuar nga prania e OSBE-së në Tiranë, javën e kaluar, morën pjesë edhe përfaqësues të PD dhe opozitës jashtëparlamentare, edhe pse nuk qëndruan deri në përfundimin e saj.

Burime nga ekspertë të shoqërisë, pjesëmarrës në këtë tryezë, thanë për DW se opozita jashtëparlamentare më shumë se tryezat shumë palëshe dhe gjithë përfshirëse për reformën zgjedhore preferon takime me shumicën socialiste. Kjo pasi PD dhe opozita jashtëparlamentare e konsideron komisionin për reformën zgjedhore jo legjitim. Ky komsion ka dy bashkryetarë: një përfaqësues nga PS , Damian Gjiknurin, dhe Rudina Hajdarin, nga opozita e re demokratike në Parlament.

PD dhe opozita jashtëparlamentare kërkon një komision me përfaqësues nga partitë kryesore dhe faktori ndërkombëtar./ DW