Dy brezat e detarëve Xhaxho, dy njerëz punëdashës që i kanë dhënë shumë detarisë në Durrës

14/08/2020 - 17:24

Apostol Xhaxho do ta ndjente erën e detit, që në lindje. Në fshatin Nartë, pranë Vlorës ku ai kaloi vitet e fëmijërisë, bashkë me dy vëllezërit dhe dy motrat, ishin lidhur me detin plot bashkëfshatarë. Familja e tij gjithashtu e kishte siguruar jetesën me peshkimin, një lloj bashkëjetese tjetër me ujin e pafund.

Fatin e Apostolit e vendosi që në moshën 15-vjeçare xhaxhai i tij, Vasil Xhaxho.  

Në vitin 1951 djaloshi i qetë dhe i urtë, siç e kujtojnë bashkëkohësit e tij, do të vendosej përfundimisht në Durrës. Në portin detar, që po krijonte Flotën tregtare, Apostoli mbërriti me pantallona të shkurtëra. Shumë shpejt ai njihet me shokë e miq, e mbi të gjitha nis të mësojë të fshehtat e profesionit të detarisë.

“Fati e deshte që edhe shërbimin ushtarak ta kryente në bordin e një anije furnizimi ushqimor për repartet në bregdetin e Sarandës" – kujton Tomorr Janina, i cili për dy vjet radhazi ka qenë ushtar-marinar me Apostolin në të njejtën anije.

Thuajse gjatë gjithë viteve 1950 Apostol Xhaxho shërben në anijet e drurit, të cilat flota jonë i trashëgoi nga detarët ulqinakë apo nga Lufta e dytë botërore. Kështu mësoi gjithçka që ndodhte në një anije, në kohë të mirë a përgjatë një stuhie detare.

23-vjeçari Xhaxho ishte një detar i formuar, kur për nevojat e kohës u thirr si marinar në anijen metalike “Partizani”.

“Së bashku me detarin tjetër Zija Biduli, Apostoli ishte i preferuari i kapitenit me përvojë Haxhi Shehu. Xhaxho dhe Biduli mësuan falë kapidanit përcaktimin e pozicionit të anijes përgjatë lundrimit në çdo 10 apo 15 minuta, ashtu siç mësuan të gjitha sekretet e drejtimit të një anije" – dëshmon Dashamir Janina.

Me këtë përgatitje të veçantë do të nisej për në Bullgari detari Apostol Xhaxho. Së bashku me një grup marinarësh shqiptarë, në nëntor të vitit 1961 ai fillon një kurs 2-vjeçar, që do të rezultojë si universitet për Xhaxhon e ri.

Detari veteran Dashamir Janina kujton se duke ndjekur këshillat e oficerit të dytë bullgar Çiko, Apostoli u bë detari i parë shqiptar, që përpilonte “planin e ngarkimit dhe shkarkimit të anijes”.

Ai u kujdes për ngarkesën e anijes “Shipka”, e cila do të ngarkonte dhe shkarkonte njëkohësisht në disa porte si Londër, Antverpen apo Roterdam. Anija ruajti me sukses në çdo segment të udhëtimit 100 përqind të parametrave të lundrimit në det.

“Ishte një praktikë që nuk realizohej në anijet tona, pasi ne kryenim në Durrës ngarkesa që mbërrinin në destinacionet fundore, pa ndalesa ndërmjetëse shkarkimi" – tregon Janina. Aftësitë e Apostolit në këtë fushë e bënë atë mjaft të kërkuar nga kapitenët e lundrimeve të gjata.

Apostol Xhaxho u bë oficer i parë i anijeve deri në 12 mijë ton, pra të nivelit të vaporëve “Tirana” apo “Vlora”.

Ndërkohë detari me përvojë kishte krijuar familjen e tij.

Në vitin 1966 kishte lidhur jetën me një bashkëfshatare nga Narta, Rina, e cila kujtonte se si në vitet e para të fejesës i është dashur të flejë në barkat e drurit, ku punonte bashkëshorti i saj. Nuk ka qenë një jetë e lehtë, deri sa të sapomartuarit të merrnin një apartament në pallatin e ndërtuar për detarët.

“Aty vazhdojmë të jetojmë edhe sot" – tregon Leonard Xhaxho. 

Djali i vetëm i detarit që nuk jeton më, dhe që ka ndjekur kushtrimin e profesionit të detarisë, thotë se në të njejtin pallat vazhdojnë të jetojnë familjet e disa prej kapitenëve dhe oficerëve të Flotës tregtare si Franc Ivanaj, Vlash Kuraja, Ruzhdi Zhura apo Burhan Burri.

Miqtë e Apostolit kujtojnë me keqardhje, se edhe detari me përvojë nuk shpëtoi dot nga “lufta e klasave”. Sebep u bë arratisja shumë vjet më parë e një kushëriri, largimin e të cilit Xhaxho e pagoi duke punuar për shumë vite në një anije prej druri 150 tonëshe.

Babai u kthye në anijet e mëdha vetëm për të kryer një rrugë simbolike – tregon Leonardi, oficer në marinën ndërkombëtare.

Ishte viti 1991. Shqipëria po ndryshonte dhe dukej se ky ishte lundrimi i fundit në Flotën Tregtare shqiptare, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte për 30 vjet me radhë vetë Apostol Xhaxho.

Biri i vetëm Leonardi, kapiten

“Babai nuk donte që unë ti futesha lundrimit, pasi isha djalë i vetëm”. Kështu e fillon tregimin për jetën e tij profesionale Leonard Xhaxho. Ka mbaruar Akademinë e Detarisë në Vlorë në vitin 1997 dhe prej shumë vitesh komandon anijet e udhëtarëve në oqeane, megjithatë ditët e para me timonin e anijes turistike “Punëtori” i ka të paharruara.

“Babain e kishin larguar nga anijet e mëdha dhe në verë ai komandonte anijen turistike që shëtiste pushuesit në plazhin e Durrësit, e ndonjëherë edhe më larg, në Kepin e Rodonit apo në plazhin e Spillesë”. Nardi ishte 13 vjeç dhe gjithë sezonin veror, për katër vjet radhazi, e kalonte pranë të jatit detar.

Këshilla e babait për t'i ndenjur larg detit nuk ka patur efekt, as në vitin 1993, kur i biri nuk iu drejtua auditoreve të Fakultetit të Inxhinjerisë Mekanike, por priti hapjen e kursit të radhës në Akademinë e Detarisë në Vlorë.

Ndërkohë Apostoli 60-vjeçar ishte rikthyer në punë, në Pire të Greqisë, për të mbajtur familjen.

Leonardi diplomohet oficer në vitin e mbrapshtë, 1997. Kishte nisur studimet në një kurs me 25 bashkëstudentë, dhe vetëm 17 prej tyre po diplomoheshin. Po atë vit ai nis punë si marinar në katamaranin “La vikinga”, i cili kryente lundrimet Durrës – Bari e kthim. Kapiten i anijes një tjetër djalë Durrësi, Pirro Traja.

Leonardi i kujton katër vitet e punës te “Vikinga” si një shkollë e rëndësishme. Po aq vite të tjera do të punonte në katamaranin tjetër “Quality lines”, gjithmonë në portin e Durrësit. Mes këtyre përvojave oficeri i ri kërkon edhe eksperiencën në një anije tregtare. Ai punon me anijen e mallrave “Kneo”, me kapacitet 4500 ton.

“Kisha nevojë të kuptoja se si funksionon një anije mallrash" – tregon Leonardi, i cili kujton përsëri të jatin.

“Fliste pak – tregon Leonardi për të jatin, i cili nuk jeton më që prej 10 vjetësh. Vetëm kur punova te “Kneo” i pëlqente të fliste për ngarkesën, për vendosjen e mallit në hambar, për ballastat. Dukej që ishte fusha e tij e preferuar”.

“Gjatë gjithë kohës që punova te “Vikinga” dhe te “Kneo”, babai gjente një shkak për të ardhur në port, herë për të më sjellë bukën; herë thjesht për të më parë” – kujton Nardi nostalgjinë e të jatit për detin.

Leonard Xhaxho tashmë është një detar që lundron në oqeane, nga ai Indian në oqeanin Atlantik. Ka mbetur në kontakt me kompaninë norvegjeze, e cila në vitin 1997 i dha punë për herë të parë si marinar në katamaranin “La vikinga”.

Oficeri shqiptar komandon në Panama një nga katamaranët – simbol të kësaj kompanie, pikërisht atë me emrin “Kommandoren”. Katamarani me emrin “Komanduesi” vazhdon të nderohet në vendin e origjinës, pasi në bordin e tij ka udhëtuar nëpër fjordet e vendit verior edhe mbretëresha e Norvegjisë.

Leonardi transporton me këtë anije udhëtarët në një segment prej 52 miljesh në brigjet atlantike të Panamasë.

Nuk është hera e parë që e bën këtë gjë.

Në vitin 2010-2011 biri i detarit të vjetër punoi në urën e komandës së një anije transporti udhëtarësh në Afrikën Qendrore, pikërisht në Gabon.

Anija lundronte çdo ditë nga kryeqyteti Libervill në Port Gentil, në krahun lindor të Atlantikut. Përvoja afrikane i shtohej lundrimeve në vitet 2004-2005 në segmentet Itali – Kroaci, gjithmonë me katamaran.

Një detar shqiptar me përvojë më shumë se ndërkombëtare Leonardi.

E po ashtu edhe një përfaqësues i kulturës shqiptare në anën tjetër të botës.

“Janë kultura të ndryshme. Në Afrikën Qendrore ke përpara një tjetër mentalitet dhe për tu njohur më nga afër duhet të mësosh frëngjishten – tregon detari. Një tjetër situatë ajo e Panamasë, ku vlen anglishtja, dhe ku befasohesh me promovimin ligjor që i bëhet traditës së detarisë”.

A është e lehtë të jesh detar kaq larg Durrësit dhe shtëpisë?

“Nuk është e lehtë – përgjigjet Leonardi. Detaria është një shkencë e aplikuar, ku tradita dhe përvoja personale vlejnë shumë. Ka zona, veçanërisht në krahun e Oqeanit Indian, ku anijet shoqërohen nga forcat e NATO-s, dhe ku fatkeqesisht, ka patur detarë të huaj që kanë mbetur të vdekur gjatë kryerjes së detyrës” – tregon me qetësi kapiteni i ri.

“Të drejtosh katamaranët e udhëtarëve është e bukur, pasi çdo gjë bëhet në mënyrë të hapur” – ndërron temë detari me përvojë.

Një pjesë e rëndësishme e lundrimit në këto anije është edhe njohja e pasagjerëve me mënyrën e lundrimit, kështu që kapiteni bëhet edhe një lloj guide turistike. Kohët e fundit për çështje standartesh sigurie, udhëtarët nuk lejohet të hyjnë në sallën e komandës, por më parë një gjë e tillë ishte pjesë e udhëtimit të pasagjerëve.

“Shkenca dhe teknologjia kanë bërë mrekulli – më thotë kapiteni Xhaxho, kur flet për familjen. Tani, me Skype mund ti “takoj” e ti “përqafoj” të dashurit e mij kur të dua. Aq e vërtetë është sa Marvini kur ishte i vogel, të cilin e kisha larg për shumë muaj, më njohu e më përqafoi, pasi më kishte parë në Skype".

Pastaj flet përsëri për babain, Apostolin: “Më kujtohet se si e prisnim babain për Vitin e Ri, e kur në vend të tij, në zyrën e radistit të portit shpesh herë arrinte një telegram, që duhet të kishte jo më shumë se sa shtatë fjalë: “Jam mirë. Vonohemi. Nardit edhe 100”. /durresport.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Vendi ynë mbetet në mbizotërimin e kthjellimeve të pakta dhe vranësirave të shpeshta të cilat do të sjellin reshje shiu në ultësirën Perë

Gjykata e Lartë ka kaluar për gjykim dosjen penale ndaj ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorit të policisë së Vlorë

Ditën e sotme ka ndërruar jetë mësuesi dhe inxhinieri i njohur Bashkim Sefa.

Policia italiane ka zhvilluar një megaoperacion dhe ka vënë në pranga një grup shumë të madh personash si të përfshirë në grupin mafioz i

Gjykata Kushtetuese do të kalojë për shqyrtim kërkesën e drejtuar nga Presidenti Ilir Meta, në lidhje me paligjshmërinë e shembjes së Tea

Ambasada gjermane në Tiranë, me anë të një lajmërimi për mediat, bën me dije se nga data 24 janar 2021, të gjithë ata persona që duan të

Policia e Shtetit njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 462 shtetas, pasi nuk zbatuan masat anticovid

Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 3314 testime dhe kanë rezultuar pozitivë 739 qytet

Sipas llogaritjeve të IGJEUM, përgjatë datave 23 deri më 26 janar priten reshje intensive, të cilat do të jenë më të përqendruara në veri

Prokuroria e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka zgjatur me tre muaj pezullimin nga detyra të Artan Shkëmbit, zv.drej