Të hënën dhe të martën në datat 8 dhe 9 korrik, qyteti i Durrësit, një pjesë të fshatrave dhe disa zona në Shijak, mund të kenë probleme të furnizimit me ujë.

Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD) njofton abonentët se për shkak të stakimit të energjisë elektrike në rajonin Fushë-Krujë – Laç mund të ketë probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) ka njoftuar se do të stakojë energjinë elektrike në datat 8 dhe 9 korrik 2019 nga ora 09.00 – 17.00 për shkak të punimeve që do të kryhen në linjën e tensionit 110 kV Laç 1-Skuraj.

Për këtë arsye gjatë këtyre dy ditëve nuk do të ketë energji elektrike në stacionin e pompave në Fushë-Kuqe, i cili furnizon me ujë qytetin e Durrësit dhe një pjesë të fshatrave. Pa energji elektrike do të jetë edhe stacioni i pompave në Fushë-Krujë, i cili furnizon me ujë të pijshëm Shijakun, Maminasin, Xhafzotajn dhe Gjepalajn.

Gjatë këtyre dy ditëve pritet të ketë problem në furnizimin me ujë të zonave të mësipërme.

UKD kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë të përkohshme.