Një ceremoni mortore jo shumë e zakontë ajo e përcjelljes dje në Lezhë të vëllait të ish-deputetit socialist, Aleksandër Ndokës i ekzekutuar në mënyrë mafioze mbrëmjen e së premtes me 14 plumba, në makinën e tij, vrasje e konsideruar mafioze nga hetimet e deritanishme.

Gazetari Pjetër Gjini raporton për "BalkanWeb" se ndryshe nga sa u përfol në media, në ceremoni kanë qënë të dy djemtë e Aleksandrit, Samueli që dje mori katër orë leje dhe Klajdi, ndonëse i shpallur në kërkim nga policia.

Samuleli ka mbërritur në shtëpinë e prindërve në lagjen "Nënë Tereza" të Lezhës i shoqëruar nga dy furgona policie, me 22 efektivë të FNSH-së.

Policët kanë qënë të armatosur dhe kanë ruajtur në çdo moment të riun, madje ata nuk i janë larguar edhe kur është hedhur mbi trupin e të atit. Ai është parë të qajë me të madhe dhe ka përsëritur shpeshherë fjalët: "Çfarë na bëre mor babë."

Ka qënë ish-deputeti Ndoka i cili i ka siguruar policët që gjatë ceremonisë s'do ndodhte asgjë me nipin, por pavarësisht kësaj, efektivët kanë bërë detyrëen, duke blinduar gjithë ceremoninë dhe duke ndjekur këmba këmbës, Samuelin

"Konsiderojeni veten sikur jeni në shtëpinë tuja. Nuk do ju ndodhë asgjë",- mësohet të këtë thënë deputeti.

E pranishme në ceremoni ishte edhe vajza e madhe e Aleksandër Ndokës, Jorida Ndoka. Në varrimin Ndokës morën pjesë shumë persona, mes tyre edhe politikanë të njohur.