Në Shijak, banorët e mbijetuar nga tërmeti i 26 nëntorit janë lënë në mëshirë të fatit.

Këto janë pamjet e një drame që nuk i duket fundi. E mund të rrezikojë sërish jetë njerëzish.

Në lagjen që njihet si luginë, thuajse të gjithë pallatet janë shpallur të pabanuara. Kryqi i Kuq i vendosur në çdo pallat tregon se brenda tij nuk lejohet të futet asnjë.

Por po ndodh e kundërta. Disa familje janë rikthyer dhe po jetojnë në këto shtëpi.

Gazetarja: Ju po rrezikoheni çdo ditë.

Banori: Këtu, s’kam ku të shkoj unë. Më mirë të vdes këtu se sa rrugëve.

Te ngjiteshe në katin e katërt ishte e rrezikshme dhe për ne, por ky banor këmbënguli që ne ta shikojmë se ku po jeton prej dy muajsh.

Banori: Është shpallur i pabanuar dhe këtu banojnë tre familje. Nuk kanë ku të shkojnë.

Teksa lotët nuk i fsheh, familja është zhvendosur por vetë ka zgjedhur të qëndrojë dhe të ruajë shtëpinë.

Banori: Prandaj nuk flas dot se më kujtohet nëna. Ka ikur tek motra në Tiranë. Kam dy muaj pa e takuar.

Edhe pse këto shtëpi janë shpallur të pabanuara ata vijojnë rregullisht të paguajnë ujin dhe dritat.

Banorja: I paguaj të gjitha me një pension 78 mijë lekë dhe 141 burri.

Banorja 2: Kam ujë e drita. Ai thotë do t’i presë dritat. S’kam lekë, ku ti gjej lekët unë.

Kanë një kërkesë për qeverinë dhe pushtetin lokal, të cilin e akuzojnë se nuk ka bërë asgjë për ta.

Banorja: Bashkia nuk të jep rrugëzgjidhje fare. Nuk na kanë thënë asgjë nuk na kanë kthyer përgjigje.

Të vetëdijshën për rrezikun që ju kanoset në shtëpi ata thonë se do qëndrojnë aty se nuk kanë asnjë rrugë tjetër.

Banorja: Jetoj se nuk kam se ku të shkoj. Kam 5 fëmijë, kam edhe nusen me çunin, me një fëmijë të paralizuar.

Kjo nënë në moshë të thyer ka një sfidë për kryeministrin.

Banorja: Ne jemi të ulërijmë. S’kemi njeri se kush na qajnë hallin. Edi Rama jeton tamam, por neve na ka lënë si qen.

Nuk kanë shpresë, nuk gjejnë zgjidhje, jetojnë me rrezikun mbi kokë por kjo nuk do të vazhdojë gjatë thonë ata.

Banori: Deri tani asnjë zgjidhje nuk kemi. Po su bë gjë do të ngrihemi të gjithë si popull. Them se do jemi shumë shpejt në protesta. /Ora News