Dyndje e madhe qytetarësh për të psonisur në qendrën tregtare QTU, duke shkaktuar si kurrë më parë, trafik të jashtëzakonshëm në autostradën Durrës-Tiranë si dhe në rrugët dytësore.

Pas restaurimit të qendrës tregtare, u bë dhe inaugurimi i saj përpara dy ditëve, ndërsa sot si ditë pushimi, një pjesë e mirë e Tiranës dhe Durrësit është duke shkuar atje për të bërë blerje, apo për të kaluar disa orë të bukura.

Por me dhjetëra qytetarë kanë mbetur të bllokuar në trafik prej gati një ore, pasi fluksi i vizitorëve ka dalë jashtë parashikimeve.

Siç raportojnë për “DurrësLajm” disa durrsakë që kanë zgjedhur të vizitonin QTU-në pasditen e kësaj të diele, prej më shumë se 45 minutash janë bllokuar në trafik nga kthesa e Kamzës pa mbërritur ende te qendra në korsinë nga Tirana drejt Durrësit.

Shumë drejtues i kanë parkuar makinat në disa kompani private larg QTU-së dhe kanë zgjedhur ta përshkojnë në këmbë rrugën që iu mbetet, në këtë mënyrë për të evituar edhe minuta të tjera në trafik, apo frikën se kur të shkojnë aty mos të gjejnë vend parkimi.

Mesa duket, nga një pasdite pushimi, këto minuta që po kthehen në orë, u shndërruan në stres për vizitorët e sotëm.