Kryetari i Këshillit Drejtues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Ilir Zela, ka reaguar pas deklaratës së kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili tha se ky institucion është “Policia e Mendimit në duart e Ramës”.

Basha e bëri këtë deklaratë një ditë pasi AKEP-i publikoi një listë me portale, të cilave u linte 72 orë kohë që të regjistroheshin në QKB para se të ndërmerrte edhe masa ekstreme.

“Zoti Basha, ju sugjeroj të shikoni punën tuaj e cila uroj t’ju shkojë më mirë, e jo të përqendroheni në përçmimin e punës së të tjerëve. Përkundrazi. Deklarata juaj për AKEP-in është në rastin më të mirë e papjekur, ndërsa në rastin më të keq gjejani vetë emrin. AKEP-i nuk synon të mbyllë asnjë media “online” sepse po ta kishte këtë synim, do të mjaftonte zbatimi i ligjit ekzistues, miratuar me votën tuaj, për të mbyllur një pjesë të madhe të tyre”, thuhet në deklaratë.

Sipas Zelës, AKEP-i synon të ndihmojë formalizimin e të gjitha portaleve “online” dhe kërkesa për vendosjen e NIPT-it në seksionin KONTAKT të faqes së internetit, buron nga ligji, jo nga ndonjë synim i errët i AKEP-it.

“Për ta lehtësuar këtë shpjegim, unë ju ftoj ju dhe këdo që dëshiron, të klikojë një çfarëdo media “online” në vendin fqinj, Itali. Aty do të gjeni NIPT-in identifikues, që nuk është një damkë censure, por një kartë identiteti e veprimtarisë ekonomike. Dhe po zoti Basha, çdo media “online” (përjashto blogjet individuale) është një entitet tregtar dhe jo një frëngji nga ku persona të paidentifikuar qëllojnë, pa treguar as burimet e financimit e madje duke ofruar edhe hapësira për reklama tregtare apo shitje të natyrave të tjera”, thuhet në deklaratën e AKEP-it.