Është arrestuar autori i grabitjes së ndodhur mesditën e sotme në qytetin e Elbasanit, Astrit Thaçi i cili është kapur në Yzberisht të Tiranës.

Autori i grabitjes së argjendarisë është po ashtu edhe autori i tentativës për grabitje në zonën e Durrësit, ku si pasojë mbeti i plagosur i zoti i shtëpisë.

Ai në momentin që është arrestuar ka qenë duke pirë kafe në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Ndërkohë në operacionin e arrestimit të tij kanë marrë pjesë Forcat Operacionale si dhe Hetimi i Krimeve në Durrës.

Grabitja e argjendarisë në  Elbasan nga Astrit Thaçi ndodhi rreth orës 12:30, ku ai nën kërcënimin e një pistolete ka mundur të marrë një sasi të konsiderueshme florinjsh dhe parash. Në vendin  në lagjen “Aqif Pasha” e ngjarjes është gjetur edhe pistoleta me të cilën i arrestuari kreu grabitjen.

Ndërkohë rezulton që i arrestuari është autori edhe i grabitjes me pasojë plagosjen rreth një javë më parë në Durrës. Astrit Thaçi tentoi të hynte për të grabitur në një banesë në lagjen nr.13 po ky i fundit është pikasur nga i zoti i shtëpisë i cili është përpjekur ta ndalojë. Në këtë moment grabitësi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të zotin e shtëpisë.