Zonës së Currilave i rikthehet e njëjta panoramë e shëmtuar, ku sa herë ka reshje të vazhdueshme shiu, balta pushton rrugën për shkak të rrëshkitjes së dherave të kodrës.

Ky problem shqetësues sidomos për banorët, vijon prej kohësh për këtë zonë, pasi Kodër Vila prej disa vitesh vuan pasojat e erozionit dhe përbërja e saj argjilore ka sjellë shkarje dherash.

Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që rrëshqitjet e dherave të kodrës argjilore të jenë masive, e të përfundojnë ashtu si dikur, në mes të rrugës, duke bllokuar dhe kalimin e këmbësorëve dhe të automjeteve.

Në Kodër Vilë u investuan në vitin 2015 rreth 2.3 milionë euro për rehabilitimin e kodrës me mbjelljen e pemëve dhe vendosjen e rrjetave të telit, si dhe ndërtimin e një shëtitoreje e cila përshkonte të gjithë këtë zonë.

Por ky investim nuk ishte jetëgjatë, pasi pa mbushur një vit, rrëshqitjet e dherave e prishën të gjithë strukturën e tarracimeve dhe të disiplinimit të ujërave; rrëshqitjet e dherave dëmtuan në mënyrë të pariparueshme shtratin e shëtitores por edhe muret mbajtëse dhe gjithçka tjetër.

Prej aso kohe, askush nuk ka vënë më dorë dhe as nuk ka kthyer kokën ndokush nga drejtuesit për të parë se në çfarë gjendje përfundoi kodra e Currilave, lulishtja e inaguruar nga kryeministri Edi Rama në zgjedhjet e qershorit të 2015-s.

Që nga koha e ndërtimit të lokaleve buzë detit në gjatësinë e rrugës nga Brryli për në Currila, kjo shëtitore mbetet më e frekuentuara.