Shumëkush që banon në lagjen nr.1 të qytetit të Durrësit, në orët e para të asaj të marte të zezë, që shkaktoi një nga momentet më tragjike të qytetit bregdetar në historinë moderne të tij, nuk mund të mos vinte re shembjen e një pjese të murit antik.

Muret rrethuese, të epokës bizantine, të ngritura në shekujt V-VI të erës sonë nga perandorët me origjinë ilire Anastasi dhe më vonë rindërtohet nga Justiniani, nuk i rezistuan lëkundjes 6.3 ballë.

Fragmente të murit përfunduan në rrugë, siç shihet poshtë në videon që po publikon DurrësLajm. Në këto ditë të para, kur e gjithë vëmendja ka qenë e fokusuar tek shpëtimi i jetëve njerëzore dhe qetësimi i qindar mijëra personave të traumatizuar, ende nuk është e qartë sesa është dëmi që mund të kenë pësuar momumentet e kulturës në Durrës.

Përveç dëmeve në muret antike të Durrësit, dëme mësohet se ka pësuar edhe kalaja e Krujës. Ditët në vijim do të qartësojnë edhe më shumë dëmet e shkaktuara në objektet e Kulturës Kombëtare në qarkun e Durrësit.