Studentët e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë bojkotuar mësimin duke u ngujuar brenda ambienteve të kampusit universitar.

Vendimi është marrë pas një takimi të Këshillit Studentor.

Sipas tyre, rruga e vetme që çon drejt plotësimit të 8 kërkesave, por më e rëndësishme: rrëzimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, është bojkoti i procesit mësimor. 

“Universiteti është i yni, dhe rezistencën sigurisht që do ta bëjmë brenda mjediseve të fakulteteve”, thonë studentët.

Procesin mësimor e cilësojnë shumë të rëndësishëm, por akoma më të rëndësishëm sistemin cilësor të arsimit.

Të shumtë në numër, studentët thonë se do të qëndrojnë brenda mjediseve universitare, si kolegët e tyre në Tiranë deri në plotësimin e kërkesave dhe rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë.