Ka shkuar në 5 numri i rasteve të prekura gjatë 24 orëve të fundit me Covid-19 në laboratorin e analizave pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës.

Pas dy rasteve të konfirmuara mëngjesin e sotëm, “DurrësLajm” mëson se janë konfirmuar pozitivë edhe 3 raste të tjera.

Pas rastit të parë të regjistruar ditën e enjte të javës së kaluar dhe një tjetër rasti të dalë ditën e diel, mëngjesin e së martës punonjësit e këtij institucioni kanë mësuar se të tjerë persona nga stafi kanë dalë pozitiv me koronavirus duke e çuar në total numrin e të prekurve në shtatë. Mëngjesin e sotëm punonjësit e laboratorit janë njoftuar me SMS që të mos paraqiten në punë.

Burime nga ky laborator, thonë për “DurrësLajm” se vetëm ditën e enjte personeli është pajisur me maska K95, pasi që nga fillimi i pandemisë nuk kanë pasur FFP3 ose maska me valvul, por vetëm nga ato kirurgjikale, dhe ato me numër të limituar.

Po ashtu, punonjësit ankohen se ka pasur mungesa në pajisjet bazë të dezinfektimit si alkool dhe doreza, të cilat shumicën e rasteve i kanë blerë vetë.

M.B.