Dyzet të rinj nga i tërë Ballkani Perëndimor u mblodhën, më 23 maj 2019, në Tiranë, për të marrë pjesë në “Shtigje Rinore 2019”.

Edicioni i tretë i “Shtigjeve Rinore”, një nga veprimtaritë kryesore që ka në qendër të rinjtë, organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e Kryesisë sllovake të OSBE-së, Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë gjermane. Për pesë ditë, të rinjtë do të njihen me njëri-tjetrin, do të eksplorojnë Tiranën dhe do të debatojnë për të ardhmen e demokracisë, sigurisë, paqes dhe bashkëpunimit në rajon.

Në ceremoninë hapëse të “Shtigjeve Rinore”, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Bernd Borchardt, foli për rëndësinë e rritjes së mbështetjes për bashkëpunimin rajonal, si dhe për rëndësinë e të rinjve si aktorë të ndryshimit në Ballkanit Perëndimor. “Gjatë këtyre tri viteve, 2 000 njerëz kanë treguar interes t’u bashkoheshin ‘Shtigjeve Rinore’ dhe 100 prej tyre morën pjesë. Shpresoj që ky edicion i ‘Shtigjeve Rinore’ t’ju transmetojë atë që tha njëri prej pjesëmarrësve të edicionit të parë: që kishte kuptuar që të rinjtë e rajonit kanë më shumë gjëra që i bashkojnë se sa që i ndajnë”, tha Borchardt.

“Pajtimi, kapërcimi i trashëgimisë së vështirë të së shkuarës në rajonin tonë është i mundur nëse ka kontakte jo vetëm midis qeverive, por edhe midis shoqërive dhe ju po e bëni këtë në mënyrë të shkëlqyer”, tha zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Sokol Dedja.

Gjatë ditëve të ardhshme, pjesëmarrësit e “Shtigjeve Rinore” do të përfshihen në një program ndërveprues, që përfshin tema që nga pjesëmarrja në demokraci, barazia gjinore, ndryshimi i klimës dhe antikorrupsioni te trajtimi i të shkuarës, bashkëpunimi rajonal, vlerat e OSBE-së, të mësuarit ndërkulturor dhe promovimi i trashëgimisë kulturore.