Për profesorin Edmond Tupja, procedimi penal ndaj tij lidhur me pjesëmarrjen në protestën e studentëve dhe më pas tërheqja e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, tregon se ka pasur një situatë të turbullt dhe të paqartë që nuk ka funksionuar në radhët e Policisë së Shtetit.

I ftuar në emisionin “Intervista e Ditës”, profesor Tupja thotë se është gjendur i habitur kur ka mësuar lidhur me procedimin penal që policia kishte bërë ndaj tij dhe 24 protestuesve të tjerë.

Sipas tij, deklarata e Ministrit Lleshaj që e cilësoi procedimin penal një “fake news”, është në të vërtetë një tërheqje që ka ardhur me urdhër nga zyra e Kryeministrisë.

Duke u ndalur më tej tek procedimi penal, Edmond Tupja nënvizon se Ministri i Brendshëm apo qoftë edhe Drejtori i Policisë do të duhej ta kishte kontaktuar dhe kërkuar falje, nëse ky njoftim zyrtar i policisë është një lajm i pavërtetë.

Sa i përket protestës së studentëve, profesori thekson se ajo i ka ngjallur shpresë dhe frymën e protestës të gjithë shoqërisë shqiptare. Ndërsa sipas tij, kjo e ka vënë Kryeministrin në një pozitë aspak të lehtë.

Në fund ai i bën thirrje studentëve që të vijojnë protestën dhe të mos ndalen përpara asnjë presioni.