Ministria e Drejtësisë i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, shkarkimin e menjëhershëm të 17 punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës. Në drejtorinë e ZRPP-së në Durrës ka mbërritur propozimi te drejtori për shkarkimin e 17 punonjësve të kësaj drejtorie të mënyrë të menjëhershme. “DurrësLajm” ka mësuar se shkresa me 17 emra për t’u shkarkuar ka ardhur menjëherë pas kontollit që bëri njësisa Task-Forcë e Ministrisë së Drejtësisë gjatë muajve shtator – tetor në këtë institucion.

Inspektorët e njësisë Taskë-Forcë të Ministrisë së Drejtësisë kanë konkluduar se në 36 dosje janë vërejtur shkelje të rënda ligjore, të firmosura prej 17 punonjësve të Hipotekës në kundërshtim me ligjin.

Drejtori i këtij institucioni, i cili është njohur me shkresën urdhëruese të Ministrisë së Drejtësisë, ende nuk ka firmosur largimin nga detyra të 17 vartësve të tij edhe për faktin se të gjithë ata vartës janë njerëz me lidhje të forta politike e partiake, por edhe më shumë, duke bërë që të vihet në pikëpyetje shkarkimi i tyre.

Shkresa ka mbërritur këtë fillim javë në Hipotekën e Durrësit dhe me të janë njohur të gjithë punonjësit e këtij institucioni, ka sjellë një kunfuzion të vërtetë.

Punonjësit për të cilët kërkohet shkarkimi janë gati sa gjysma e administratës së të gjithë institucionit  të ZRPP-së dhe largimi i tyre bën që ZRPP-së në Durrës t’i hidhet dryni për shërbimet që kërkon populli.

Por me largimin e njësisë Task-Forcë të Ministrisë së Drejtësisë që ka sjellë propozimin për shkarkim të 17 punonjësve, në këtë institucion kanë mësyrë auditi Tekniko-Ligjor dhe auditi financiar.

Inspektorët kanë marrë në dorë kontrollin e imtësishëm të dosjeve të pasurisë së paluajtshme në Durrës.

Sipas burimeve, ka një numër të madh qytetarësh të cilët kanë bërë kallëzim në portalin Antikorrupsion.

Çdo orë që kalon rrit ethet në këtë institucion e kryesisht për ata që e kanë emrin në listën e shkarkimit nga puna.