Pallati shumëkatësh në sektorin “Iliria” në Durrës, të cilit i janë vënë shiritat bllokues pas dëmeve të mëdha që pësoi nga tërmeti i 21 shtatorit, është inspektuar ditën e sotme nga autoritetet vendore të Durrësit, Drejtori i Emergjencave Civile Haki Çako dhe inxhinierë të përfaqësisë së BE-së në Tiranë.

Ekspertët e huaj panë nga afër të gjitha dëmtimet, të çarat në fasadë dhe në ambientet e brendshme dhe apartamente dhe diskutuan me kryebashkiaken Valbona Sako, prefektin Roland Nasto dhe drejtorin Çako lidhur me ndihmën që mund të japin për rikonstruksionin e objektit.

Që pas tërmetit, banorët e këtij pallati janë evakuuar dhe në hyrje është vendosur tabela “ndërtesa është e pabanueshme”. Ky është një pallat i ndërtuar në vitin 2010 dhe është një ndër objektet shumëkatëshe më të dëmtuara në Durrës. Një pjesë e banorëve janë sistemuar tek Kovalishenca në Plepa, ndërsa të tjerë tek të afërmit.

Në total, shifra e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 21 shtatorit në Durrës e kalon shifrën 4 milionë euro.