Eksperti Arban Domi mendon ndryshe nga Silva Bino, kur vjen puna tek pyetja nëse dikush që e ka kaluar Covid duhet ta bëjë ose jo vaksinën. Në një lidhje me “Opinion”, Domi shprehet se një person që e ka kaluar virusin ka imunitet edhe pas 8 muajsh, për këtë arsye ai thotë se nuk është e nevojshme bërja e vaksinës. Madje ai shprehet se në kushtet kur numrat e vaksinës janë të kufizuara, nuk është etike dhe as morale që dikush ta bëjë atë.  

Herën e fundit që ju kam pyetur keni thënë se ata që e kanë kaluar Covid-in është mirë që të mos e bëjnë vaksinën. I qëndroni kësaj ideje?

“Le ta sqarojmë me saktësi për publikun. Ai që e ka kaluar Covidin nuk është e nevojshme ta bëjë. Herën e fundit që kemi biseduar, nuk kishim shumë të dhëna dhe mendoja se do ishte 3 deri në 6 muaj minimumi, pasi e ka kaluar. Ka kaluar disa kohë nga biseda e fundit që kemi pasur dhe të dhënat e fundit, të jo më shumë se 1 apo 2 javë me parë, kanë treguar që edhe pas 8 muajsh sistemi i imunitar mbrojtës është i nivelit teorikisht të mjaftueshëm”.

Sipas mjekut, “prova më e madhe, që është shumë domethënëse, është që të infektuar në botë janë rreth 10 milion. Riinfektimet janë me gishtat e dorë dhe ky është testi klinik më i mirë për të thënë që ata që janë infektuar nuk riinfektohen. Por nuk ka asnjë gjë të keqe për ta ribërë”.

Domi thotë që nuk ka komplikacion nëse dikush që e ka kaluar Covid e bën vaksinën, por sipas tij ajo nuk është e nevojshme.

“Në kushtet aktuale kur numrat janë shumë të kufizuar, për mua është një humbje e dozës që ta bëjë dikush që e ka kaluar. Edhe nga ana etike dhe nga ana morale nuk është e nevojshme…”