Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të saj, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Durrës hapi në galerinë “Nikolet Vasia” një ekspozitë me dokumente të rralla që hedhin dritë mbi historikun e saj përgjatë viteve 1921-1945.

Në 16 stenda janë ekspozuar dokumente autentike të nxjerra nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, të cilat i përkasin 24 viteve të para të krijimit të Odës Tregtare dhe fuqizimit të rolit të saj si një urë lidhëse mes biznesit dhe autoriteteve shtetërore të kohës.

Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Alban Isteri theksoi se bashkëpunimi mjaft i frytshëm me Drejtorinë e Arkivave bëri të mundur të hidhet edhe më shumë dritë mbi historikun e shkruar të Odës Tregtare, korrespondencën e saj me simotrat brenda e jashtë vendit, por edhe mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtij institucioni në vitet e para të formimit të tij.

Isteri fton të gjithë qytetarët durrsakë ta vizitojnë ekspozitën, për t’u njohur nga afër jo vetëm me historikun e Dhomës së Tregtisë, por edhe me historikun e sipërmarrjes private durrsake në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX e deri në vitet e vendosjes së regjimit komunist.

Ndërkohë, drejtori rajonal i Arkivës Shtetërore, Lorenc Agalliu deklaroi se dokumentacioni i viteve të para të ekzistencës së Odës Tregtare është i mjaftueshëm për të bërë një kronologji të saktë të veprimtarisë së këtij institucioni në 24 vitet e para të punës.

“Korrespondenca e rregullt me Odat e tjera Tregtare brenda vendit, por edhe ftesat nga Dhomat Ndërkombëtare të Tregtisë për të marrë pjesë në panaire të ndryshme në Bari, Amsterdam, Paris etj tregojnë rëndësinë që kishte Dhoma e Tregtisë Durrës në atë periudhë”,- tha Agalliu.

Ai thekson se vitet më të dokumentuara të historikut të Odës Tregtare janë fasha kohore 1925-1939, periudhë kjo që përkon me vitet e forcimit të shtetit dhe organeve ekzekutive dhe ligjzbatuese gjatë Republikës dhe më pas Mbretërisë Shqiptare.

Në kuadër të 100-vjetorit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, presidenti Ilir Meta i akordoi këtij institucioni titullin e lartë “Për merita të veçanta civile”.

M.B.