Policia e Durrësit ka shoqëruar 8 persona, të cilët janë marrë në pyetje për llogari të hetimeve të nisura për ekzekutimin e 40-vjeçarit Feriz Bardhi.

Pista kryesore e vrasjes që po shqyrtohet është ajo për përfshirje në trafik droge jashtë dhe brenda vendit.

Dyshohet që vrasja të jetë bërë nga njerëz me pagesë e profesionistë, pasi autorët nuk kanë lënë gjurmë të rëndësishme për identifikim.

Policia shqiptare ka kërkuar edhe ndihmën e policisë italiane për aktivitetin e tij në Itali, pasi 40-vjeçari jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë, e pjesën më të madhe të kohës qëndronte në vendin fqinj.,

Feriz Bardhi është qëlluar për vdekje me breshëri automatiku mesditën e së enjtes në qytetin e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 18 pranë Kryqit të Kuq rreth orës 12:55.

Bardhi u qëllua me armë zjarri tip automatik në derë të shtëpisë, ku edhe pse u dërgua me shpejtësi i plagosur në spital, nuk mundi që të mbijetonte. 40-vjeçari nga Shën Vlashi, baba i dy fëmijëve, dyshohej se ishte i përfshirë në grupe kriminale që ushtrojnë aktivitetin e trafikimit të kokainës.

Bardhi rezulton se në vitin 2012 është arrestuar nga Policia italiane në Askoli, ku u kap me kokainë.