Gazetari investigativ, Artan Hoxha, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që të hetojë një nga dosjet me të bujshme, që kanë tronditur vendin, vrasjen e bankierit Artan Santo, në qershor 2014 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Artan Hoxha, shkruan se disa oficerë me eksperiencë të Policisë së Shtetit, gjatë pranverës së vitit 2020, morën nga arkiva dosjen e bankierit Santo dhe në sekret të plote ngritën 2-3 pista te reja për ngjarjen dhe më pas, në dhjetor 2020, ia dërguan dosjen Prokurorisë Speciale (SPAK).

Por, një muaj e gjysmë më pas, SPAK ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje, thotë Hoxha, teksa deklaron se SPAK tashmë ka në dorë të hetoje një nga ngjarjet me të rënda të post komunizmit, apo të dorëzohet për krimin e lidhur fort me korrupsionin shtetëror dhe mafien politike.

Postimi i plotë:

Dosja “Santo”, SPAK ende i pavendosur…

SPAK mos u mendo shume.

Jepi drejtim dosjes se 26 qershorit 2014, kur ata tipat me motor  “Suzuki V-Strom”, ekzekutuan në orën 9:15 minuta, Drejtuesin e Bankës Credins Artan Santo.

Disa oficere me eksperience të Policisë se Shtetit, gjate pranverës si vitit 2020, tërhoqën nga arkiva dosjen e pluhurosur te ekzekutimit te bankierit Santo.

Pasi kryen në heshtje dhe sekret të plote një sere veprimesh, ngritën 2-3  pista te reja për ngjarjen dhe vendosen në fillimin e dhjetorit 2020, t’ia dërgonin Prokurorisë Speciale SPAK.

Prokuroret e SPAK premtuan se do ta shqyrtonin shpejt materialin dhe do nisnin hetimet intensive, qe deri tani nuk janë bere kurrë nga prokuroria.

Por një muaj e gjysmë me pas, SPAK ende nuk ka marre asnjë vendim çfarë do beje me dosjen e nxehte, qe tashme i ka mbetur në dore.

SPAK duhet të shprehet nëse do ta marre përsipër hetimin e kësaj dosje, apo do ta rikthehej serish në kartotekën e policisë.

Deri tani ky vendim, qe në fillim u duk mjaft i lehte dhe pati shume entuziazëm se do të ishte pozitiv, ende nuk është marre…

SPAK ka në dore te vendos, nëse ka kurajo të hetoje një nga ngjarjet me te renda te postkomunizmit, apo do te dorëzohet për krimit te lidhur fort me korrupsionin shtetëror dhe mafien politike.