Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Behar Sofisë, ngjarje e ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të Piramidës në Tiranë.

Familjarët e 66-vjeçarit kanë thënë para hetuesve se ai kishte dalë për të pirë kafe dhe për të blerë diçka e më pas do të kthehej në banesë, duke mohuar që Sofia të ketë pasur në plan të takonte ndonjë person dje.

“Behari doli të pinte kafe, më pas do të blinte diçka dhe do të kthehej në banesë. Behari, kur doli, nuk na tha se do të takonte njeri”, mësohet të kenë thënë familjarët.

Po ashtu bëhet me dije se policia ka sekuestruar dhe telefonin e viktimës dhe nga këqyrja nuk është gjetur ndonjë bisedë e dyshimtë apo ndonjë kërcënim. Edhe familjarët e tij mohojnë që viktima të ketë pasur konflikte ditët e fundit.

Deri tani lidhue me vrasjen mafioze të biznesmenit 66-vjeçar janë të shoqëruar të paktën 10 persona, të gjithë familjarë dhe të afërm të viktimës dhe asnjë person i dyshuar.