Kryetari i bashkisë së Shijakut ka reaguar ndaj një lajmi të nxjerrë nga shefi i kabinetit të kryetarit të PD-së, Dorian Teliti, duke e cilësuar si shpifjen e rradhës. 

Kryebashkiaku Arbana nxjerr me fakte pretendimin e qytetarit Sali Kokomani duke treguar se ai nuk është fare pronar i shtëpisë dhe nuk është paraqitur në asnjë moment në Bashkinë e Shijakut. Shtëpia është në pronësi të vëllait të tij.

Postimi i plotë:

Opozita “As mish e as peshk” ka përdorur një tjetër qytetar për SHPIFJET e saj.

Sali Kokomani, që është prononcuar për opozitën nuk është fare pronar i shtëpisë dhe nuk është paraqitur në asnjë moment te Bashkia e Shijakut. Shtëpia është në pronësi të vëllait të tij.

Sa keq, e gjithë jeta juaj politike është kthyer në një rutinë pasigurie.
Suksesi qëndron te përmirësimi i vetes. E në vend që të merreni me veten dhe boshllëqet tuaja që janë kthyer në hendek me elektoratin ju merreni me njerëzit e thjeshtë, etiketoni të dobtit psikologjikisht. 

Ne kemi fakte që i kemi ndihmuar dhe do të vazhdojmë t’i ndihmojmë. Edhe nëse jo gjithmonë e shfaqim publikisht ndihmën e dhënë, ata e dinë shumë mirë se kush i është gjendur në momentet e vështira.

Keni mbetur peng i së shkuarës ndërkohë që ne me punën tonë po tregojmë që jemi drita në fund të tunelit që na solli fatkeqësia natyrore.

Kurrë mos u merrni me një njeri që punon. Unë jam këtu për t’i shërbyer të gjithë njerëzve, përfshirë dhe militantëve tuaj, sepse unë i shikoj si njerëz e jo si kavie politike. Dhe jam këtu për të bërë më të mirën timen.
Dhe mos harroni, ka një ndryshim të madh mes të qënit njeri dhe njerëzor. Unë kam zgjedhur të dytën.

Ku ka vullnet, ka zgjidhje!

FAKTE

Relacion sqarues për banesën e z.Sali Kokomani.

Nisur nga deklarata e bërë nga z.Sali Kokomani, në sistemin e RKA (tableti), i cili përcakton vendndodhjen e objektit, me nr banese dhe foto të objektit  në kohë reale, është përcaktuar niveli i dëmit dhe dëmtimet përkatëse të këtij objekti. 

Pasi është hapur Platforma e Rindërtimit në muajin Shkurt (shtëpia ime.al), në të cilën qytetarët kanë pasur akses për të bërë aplikimet dhe për të qenë përfitues në grant ose rindërtim,  z.Sali Kokomani nuk është paraqitur për të bërë aplikimin në nivelin e dëmit të përcaktuar në tablet. 

Objekti në të cilin është paraqitur z.Sali, me nr.8 banese, dhe nivel dëmtimi DS1 nuk është shtëpia e banimit të tij, por e vëllait të tij. 

Shtëpia e z.Sali është me nr.1 banese dhe është pa dëmtime në akt-konstatim sipas tabletit.