Shpallja e emergjencës mjedisore në territorin e bashkisë së Durrësit, ku hidhen mbetjet urbane të pandara e të patrajtuara, përfshirë mbetjet e rrezikshme spitalore dhe industriale, nuk ka sjellë ende asnjë ndryshim në qytetin bregdetar.

Kafshët e gjalla që ushqehen me mbetjet urbane e më pas përfundojnë në tryezat e konsumatorëve janë po aty, ku u premtua se do të ndërtohej një park i gjelbëruar për banorët e zonës. Lopët e zonës ushqehen midis mbetjeve, që grumbullohen aty nga makinat e transportit të bashkisë. Pak më tutje derrat qëndrojnë në ujërat e ndotura nëntokësore. Këto kafshë prodhojnë qumësht e mish për konsumatorin. Era e rëndë e dekompozimit të mbetjeve urbane të çan flegrat e hundës tej për tej.   

Banorët e zonës kanë kalitur durimin e tyre në një situatë të tillë mjedisore. Shpeshherë ata kanë protestuar, asnjëherë nuk janë lodhur të protestojnë për të përmirësuar kushtet e jetesës, por pa asnjë zgjidhje konkrete.

Në të njëjtën fushë janë duke punuar me orë të tëra për të bërë riciklimin edhe banorët më të varfër të Durrësit që grumbullojnë plastikë e kanoçe. Tymi toksik që çlirohet nga djegia e pakontrolluar në natyrë e mbetjeve urbane shtrihet mbi zonën e banuar përreth dhe kampusin universitar, e më tej drejt qytetit, i favorizuar nga era. Me shpalljen e emergjencës mjedisore, Bashkia e Durrësit ka larë duart me këtë çështje të nxehtë mjedisore. Zgjidhja tashmë pritet nga Qeveria. 

Kryeministri i vendit Edi Rama ishte në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në Porto-Romano të Durrësit në muajin korrik. Të gjithë këtë skenë të përsëritur në vite, e mati me hapat e tij ku premtoi mbylljen dhe kthimin e tij në një park të gjelbëruar në harkun kohor të 18 muajve. Nga ky premtim që duket se ndezi dritë jeshile në tunelin e errët, asgjë nuk ka ndryshuar. Mbetjet vazhdojnë të digjen në qiell të hapur. Rrethimi mungon dhe mbetjet kanë zgjeruar territorin e tyre.

Banorët mbeten të ekspozuar ndaj efekteve negative të ndotjes në shëndetin dhe jetët e tyre. Në Porto-Romano asgjë nuk ka ndryshuar dhe pse ndërmarrja bashkiake e Pastrim-Gjelbërimit premtoi një rrethim paraprak të vendgrumbullimit për të disiplinuar disi derdhjet dhe hyrje-daljet e atyre që sigurojnë jetesën duke punuar në këtë fushë.

K.H.