Ambasada e Shqipërisë në Itali ka një njoftim të rëndësishëm për të gjithë emigrantët që jetojnë në vendin fqinj në lidhje me rinovimin e kartave të identitetit apo pasaportave.

Për shërbime të tjera konsullore, si dhe rastet me natyrë urgjente që kërkojnë adresim, Ambasada e Republikës së RSh-së në Itali njofton se ka zgjatur orarin e shërbimit për qytetarët në Zyrën Konsullore në Romë.

Orari i shërbimit të Zyrës Konsullore është nga ora 08:00 deri në orën 20.00, nga e hëna në të premte.

Të gjithë shtetasit që janë njoftuar nëpërmjet e-malit për datën e takimit, u garantohet shërbimi brenda ditës, në datën e përcaktuar.

Ndër të tjera, Ambasada kërkon: “Gjithashtu, duke synuar kufizimin, në mënyrë të ndjeshme, të kohës së pritjes për marrjen e shërbimit, kërkojmë bashkëpunimin tuaj lidhur me:

– Korrektësinë tuaj në paraqitjen e dokumentacionit të nevojshëm sipas shërbimit që kërkoni, si dhe pagesat e faturave që duhet të kryeni paraprakisht në koordinatat bankare që dërgohen në e-mailin tuaj nga nëpunësi konsullor.

Lutemi po ashtu që gjatë zhvendosjes tuaj për në Zyrën tonë Konsullore, si dhe në momentin e paraqitjes në mjediset e brendshme të saj, të respektoni me rigorozitet masat parandaluese kundër pandemisë Covid-19”.