Përveç Partisë Socialiste në Durrës asnjë prej subjekteve të tjera politike nuk i ka dërguar brenda afateve ligjore emrat e komisionerëve të qendrave të votimit në KQZ.

Procesi parazgjedhor në Durrës ka vijuar me trajnimin e anëtarëve të Komisioneve Zonale të Adminsitrimit Zgjedhor, ndërkohë  pritet edhe trajnimi i komisionerëve të qendrave të votimit, por subjektet politikë ende nuk i kanë bërë të ditur emrat. Prefekti i Durrësit Emiljan Jani në një intervistë për “DurrësLajm” tha se me ndarjen e re administrative Bashkia e Durrësit ka nën administrim 319 qendra votimi, 219 në qytet e 100 në fshat.

“Personeli i KZAZ-ve është trajnuar dhe sot po bëhet trajnimi i operatorëve dhe i vëzhguesve. Brenda tre ditësh pritet të përfundojë trajnimi i të gjithë komisioinerëve të qendrave të votimit”.

Dy qendra votimi rrezikojnë të mos hapen në zemër të Durrësit përballë me godinën e gjykatës dhe të prokurorisë. Dy qendra votimi janë në godinën në varësi të Sigurimeve shoqërore, për të cilën drejtoresha e këtij institucioni i ka dërguar përgjigje negative prefektit.  

“Vlen të theksohet se me në informacionin që më erdhi ditën e premte për dy qendra votimi të cilat kanë funksionuar në zgjedhjet e mëparshme lolake e qendrore nuk janë në dispozicion. Ko më është  bërë e ditur të premten e javës që u mbyll. Shkresa përkatëse, për të vënë në dispozicion qendrat e votimit  iu bë institucionit që i mbulon  në 9 maj , dhe përgjigja ka ardhur në 16 qershor,  me 40 ditë vonesë. Këtë problem po e ndjek me urgjencë që të gjitha qendrat e votimit të jenë të hapura. Mora kontakt me drejtoreshën dhe i thashë që të merren masa urgjente, sepse ndryshimi i qendrave të votimit një javë para zgjedhjeve është i pamundur. U dhashë urdhër nga pozicioni  i prefektit të qarkut Durrës të marrin të gjitha masat. Jam në pritje të përgjigjes së drejtuesve të këtij instiucioni",- tha Jani.

Drejtoresha e Sigurimeve i përket forcës politike të LSi-së.

Listat e votimit janë shpallur në 319 qendrat e votimit, ndërsa janë përcaktuar edhe katër vendnumërimet e KZAZ- VE që i përkasin Bashkisë së Durrësit.

Mbi 241 mijë votues që kanë mbushur moshën mbi 18 vjeç  i drejtohen kutive të votimit në Durrës të dielën më 25 qershor.