• Interpol Tirana, Interpol Roma dhe Interpol Parisi finalizuan dy operacione ekstradimi. Ekstradohet nga Italia një 39-vjeçar i dënuar me 19 vjet burg, për vepra të rënda kundër personit. Gjithashtu ekstradohet nga Franca një 45-vjeçar i dënuar për mashtrim.

Në vijim të bashkëpunimit mes Interpol Tirana dhe homologëve për kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga ZQK Interpol Tirana u ekstradua nga Italia shtetasi Dritan Karaj alias Ethem Ademi, 39 vjeç, lindur në Krujë.

Shtetasi Dritan Karaj ishte shpallur ne kërkim ndërkombëtar nga ZQK Tirana, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 19 vjet burg, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Rrembimi ose mbajtja peng e personit”.

Gjithashtu, po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Franca drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Ilir Kello, 45 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale ”Mashtrimi”.