Që nga dorëheqja në fillim të shtatorit 2019, të drejtoreshës historike të Burimeve Njerëzore në bashkinë e Durrësit, Drita Zeneli kjo drejtori nuk ka gjetur qetësi. Në atë kohë u komandua Ersenta Ferra, deri në zhvillimin e konkursit për këtë post.

Konkursi nxorri fituese Irena Shkarpën, e vetmja kandidate që u përzgjodh për fazën finale. Por qëndrimi i Shkarpës në këtë post ishte kohëshkurtër, pasi tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi “tërmet” edhe në bashki. Dorëheqja e ish-kryebashkiakes Sako u shoqërua edhe nga dorëheqja e Shkarpës dhe për këtë shkak, konkursi për përzgjedhjen e drejtorit/es së re nisi nga e para.  

Pas rreth 12 vitesh që këtë post të rëndësishëm të bashki e kanë mbajtur gratë, duket se tashmë do të jetë një mashkull në krye të kësaj drejtorie.

Me procedurën “Nga jashtë shërbimit civil”, i vetmi kandidat i përzgjedhur i mbetur në garë është Patriot Beqaraj (në foton poshtë). Kujtojmë se Beqaraj ka mbajtur për ca kohë postin e Drejtorit Rajonal të Kulturës Kombëtare Durrës.

Ndërkohë, për postin e Përgjegjësit në Sektorin e Prokurimeve në bashkinë e Durrësit, konkursi ka nxjerrë kandidat për fazën finale Arten Zhitin, aktualisht punonjës në këtë drejtori.

Zhiti është përzgjedhur përmes procedurës “Ngritje në detyrë”.

Vlerësimi me shkrim dhe intervista e strukturuar me gojë për Beqaraj dhe Zhitin do të zhvillohet më datë 21.01.2020, ora 12.00, në ambjentet e Bashkisë Durrës (salla e Këshillit Bashkiak)

Rezultatet për fituesit e konkurimit do të dalin më datë 27.01.2020, por përderisa janë të vetmit kandidatë në konkurset respektive, pritet të zyrtarizohen në fund të muajit postet e tyre.