Dy persona janë shpallur në kërkim nga policia e Kurbinit pas konfliktit të ndodhur sot në qendër të Mamurrasit, ku mbetën të plagosur dy efektivë policie dhe një prej personave pjesë e përplasjes.

Mësohet se janë shpallur në kërkim shtetasit Ndue Zefi, 28 vjec dhe Gjon Fufi, 40 vjeç, të cilët nuk i kanë ndaluar patrullës së policisë pas urdhrit. Mësohet se Zefi dhe Fufi janë të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi.

Policia e Kurbinit informoi zyrtarisht se rreth orës 13:35, në qendër të qytetit të Mamurrasit disa persona janë konfliktuar me punonjësit e Policisë të Patrullës së Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet.

Një nga punonjësit e Policisë ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar dhe për pasojë janë plagosur dy kolegët e tij, I. Z. dhe F. LL., si dhe një nga personat e përfshirë në konflikt, shtetasi N. V., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.