Javën e ardhshme, më saktësisht me 26 dhjetor, pritet të shpallet emri i drejtorit të ri të Drejtorisë Rajonale Tatimore në Durrës.

Që nga dorëheqja e ish-drejtoreshës Valbona Sako (maj 2019), në krye të kësaj drejtorie ka qëndruar i komanduar për disa muaj me rradhë drejtori Ilir Sinani.

Ndërkohë, Departamenti i Administratës Publike (DAP) ka hapur konkursin dhe në fazën e dytë janë përzgjedhur 4 kandidatë, ku bie në sy se e vetmja kandidate femër është Drejtoresha e Përgjithshme Ligjore, Arsim Kulturë dhe Burime Njerëzore, në bashkinë e Durrësit, Dalina Bucaj (në foton poshtë).

Që nga viti 2005, Bucaj ka punuar pranë bashkisë Durrës në pozicione të ndryshme si audituese e Brendshme, juriste e Zyrës së Legalizimeve dhe më pas Drejtoreshë Ligjore.

Ndërsa 3 kandidatët meshkuj janë Gentjan Gazidedja, Ilir Lleshi dhe Qerim Lazaj.

Në datë 26 dhjetor, të 4 kandidatët do t’i nënshtrohen testimit me shkrim dhe intervistës së strukturuar me gojë në ambientet e Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, Blv “Zhan D’Ark”, Nr 31, Tiranë.