Këshilli i Qarkut Durrës, i cili ka në përbërjen e tij këshilltarë bashkiakë nga 3 bashkitë (Durrës, Shijak dhe Krujë), do të jetë i dominuar tërësisht nga PS dhe aleatët e saj.

Bojkoti i opozitës në zgjedhjet e 30 qershorit solli si pasojë, që jo vetëm Këshillat Bashkiak, por edhe ato të Qarkut të jenë tërësisht në dorë të maxhorancës.

Pas konstituimit të Këshillave Bashkiak në të 3 bashkitë e qarkut të Durrësit, janë përzgjedhur edhe këshilltarët, që do të jenë pjesë e Këshillit të Qarkut.

Nga Këshilli Bashkiak i Durrësit janë përzgjedhur emrat: Arben Isaku, Spartak Kovaçi, Jolanda Mustafaraj, Ana Dhamo, Alfred Mullaraj, Afrim Bakaj, Agim Karaj, Indrit Cerloj (të gjithë nga PS) dhe Valentino Mustaka (Partia Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane)

Nga Këshilli Bashkiak i Shijakut janë përzgjedhur emrat: Alma Shahini, Mentor Kllari (të dy nga PS) dhe Gëzim Sinjari (Partia Aleanca Demokratike Shqiptare).

Siç shihet, PS kontrollon në shumicë dërrmuese këtë Këshill, ndërkohë që 2 vende u janë lënë dy këshilltarëve që vijnë nga partitë aleate të saj.

Ndërkohë, nga bashkia e Krujës, krahas kryebashkiakut Artur Bushi, në mbledhje marrin pjesë 4 anëtarë të Këshillit Bashkiak.

Këshilli i Qarkut Durrës ka gjithsej 16 anëtarë, ndërkohë që në mbledhjet e këtij organi duhet të marrin pjesë edhe kryebashkiakët e bashkive Durrës, Shijak e Krujë.

Ende nuk ka një datë se kur do të zhvillohet mbledhja e parë e Këshillit të Qarkut Durrës, nga ku do të zgjidhet edhe kreu i këtij Këshilli. Deri më tani këtë post e ka mbajtur Alfred Mullaraj, që njëkohësisht ishte edhe kreu i këshilltarëve të PS-së në Këshillin e kaluar Bashkiak Durrës.  

M.B.