Një ditë më parë në Durrës, kambisti Naim Musai, babai i dëshmitarit Besnik Musai, i vënë në mbrojtje nga prokuroria dhe Policia e Shtetit, është dhunuar barbarisht nga dy persona ende të paidentifikuar. Lajmi për dhunimin dhe më pas grabitjen e Naim Musai, konfirmohet nga policia e Durrësit. Burime pranë policisë së këtij qyteti thanë se kanë nisur hetimet me qëllim identifikimin e autorëve të këtij krimi dhe arrestimin e tyre.

Brenda në çantë Musai kishte 250 euro dhe 1.5 milion lekë të vjetra, para këto që ai i përdorte për këmbim valutor. Për këtë ngjarje policia dhe prokuroria e Durrësit, kanë nisur hetimet duke kërkuar pamjet filmike në zonë por dhe pyetur Musain, lidhur me karakteristikat e dy personave që e kanë sulmuar dhe rrahur barbarisht, duke i vjedhur edhe sasinë e parave që ai kishte me vehte.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen nr.13 në zonën e Plazhit, pranë vendit të quajtur “Rrota e Kuqe”, ku Naim Musai është sulmuar fizikisht nga dy persona ende të paidentifikuar, duke e qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit. Si pasojë e këtyre goditjeve, Musai, ka pësuar dëmtime në kokë, fytyrë dhe trup. Naim Musai, punon në Durrës si kambist në të zezë. Siç dhe bën me dije policia e Durrësit, dy personat pasi e kanë dhunuar janë larguar disa metra, por më pas janë kthyer duke i marrë çantën marsup që Musai kishte me vete.

Naim Musai, është babai i Besnik Musai, njeriut që dëshmoi në favor të akuzave të ngritur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, kundër Emiljano Shullazit, për sa i përket konflikteve që Shullazi ka pasur me biznesmenin Ylvi Beqja.

Në fillim të procesit gjyqësor kundër Emiljano Shullazit dhe katër të pandehurve të tjerë si Blerim Shullazi, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Gilmando Dani, familja Musai u vu në mbrojtje nga Policia e Shtetit, për shkak se Besnik Musai, shofer dhe kunat i biznesmenit Ylvi Beqja, doli dhe dëshmoi në gjyqin kundër këtyre personave.