Një ngjarje e rëndë është shënuar në burgun e Dubravës.

Izmir Allci i lindur në vitin 1992 në Manzë të Durrësit, ishte arrestuar më 15 dhjetor të vitit 2018 për veprën  penale: blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve dhe ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës me dy vjet burgim, mëson "Syri.net Kosova".

Ai teksa po vuante dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës, e që duhej të lirohet më 15 qershor të vitit tjetër (2020), më 14 qershor rreth orës 10.10 është dërguar në Spitalin e Pejës për trajtim, por nuk ka arritur të mbijetojë.

Asnjëri nga zyrtarët e burgut, policisë, prokurorisë, e institutit të mjekësisë ligjore nuk japin sqarime lidhur me atë se si ka ardhur deri te vdekja e të burgosurit në Qendrën Korrekutese të Dubravës. 

Shërbimi Korrektues i Kosovës, ka njoftuar se më 14 qershor në Spitalin Rajonal të Pejës, ka ndërruar jetë i burgosuri, me inicialet I. A , i lindur më 1992-shin.

I burgosuri, me rekomandim të mjekut të burgut në Dubravë është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës rreth orës 10:10, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore ka ndërruar jetë.

Lidhur me shkaqet e vdekjes, trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues Florent Gashi, i kontaktuar nga "Syri.net Kosova", nuk ka dashur të japë informacione tjera përveç atyre që janë dhënë në komunikatë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me anë të një komunikate ka reaguar në lidhje me vdekjen e 27-vjeçarit në burgun e Dubravës.

Sipas KMDLNj-së shtetasi shqiptar në orën 9:15 është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore nga shokët e dhomës që ishin kthyer nga shëtitja e që i ndjeri nuk kishte dalë në shëtitje.

“Personeli mjekësor i Burgut të Dubravës ka bërë përpjekje t’i ofrojë ndihmën e parë mirëpo për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës ku edhe është konstatuar vdekja”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

KMDLNj thellësisht është shqetësuar me vdekjen e personave të privuar nga liria gjatë vuajtjes së dënimit dhe kërkon intervenim urgjent të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë që të sigurohet një mbrojtje cilësore dhe efektive e shëndetit dhe jetës së personave të privuar nga liria.

“KMDLNj është njoftuar për terapinë që e ka përdorur i ndjeri dhe që mund të jetë edhe shkaktare për vdekjen e tij prandaj kërkon nga drejtësia e burgjeve të përforcojë kontrollet në mënyrë që të eliminohen gjësendet e ndaluara. I ndjeri ka vdekur 12 ditë pasi ka filluar vuajtjen e dënimit dhe sipas KMDLNJ –së nuk ka pasur histori të një sëmundjeje të rëndë e që ka shkaktuar vdekjen e shpejtë”, thuhet në reagim.

KMDLNj kërkon që të përforcohet profesionalisht edhe materialisht Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve që të evitohen këso raste në të ardhmen.