Ka ndërruar jetë 45-vjeçari nga Skrapari i cili u soll ditën e sotme në Tiranë për shkak të problemeve të rënda me rrugët e frymëmarrjes. 45-vjeçari fillimisht ishte  paraqitur në spitalin e Beratit ndërsa më pas u transportua me urgjencë drejt QSUT-së Tiranë, për ekzaminim por humbi betejën me jetën.

Vjetor Alushi është 45-vjeçari që ndërroi jetë sot në QSUT. Alushi, baba i tre fëmijëve, jetonte në Skrapar, ndërsa për shkak të problemeve pulmonare ishte drejtuar në spitalin e Beratit.

Ndërkohë mbetet ende mister shkaku i vdekjes së pacientit, pasi sipas mjekëve në Berat, në Tiranë ishte në pritje të analizave. Pacienti në fjalë në spitalin e Beratit ka rezultuar me insufiçencë respiratore dhe probleme të tjera polmonare. Mjekja infeksioniste në Spitalin Rajonal të Beratit, Etleva Vila ka konfirmuar se rasti ka pasur insufiçencë respiratore të rëndë, por nuk ka pasur kontakte me zona të prekura nga koronavirusi.