Sot, nxënësit e Durrësit ju rikthyen bankave të shkollës, pas një ndërprerjeje thuajse 2 javore, që pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Thuajse të gjithë janë kthyer, por një vogëlushe nuk do mund të kthehet më kurrë.

E vogla Esielë, e cila humbi jetën së bashku me mami Dienën dhe gjyshe Rozetën në rrënojat e pallatit 6 katësh, që u shemb pranë Kryqit të Kuq Durrës.

Mësuesja e vogëlushes, e cila frekuentonte klasën e tretë në shkollën “Nënë Tereza” ka bërë një dedikim mjaft prekës për 8-vjeçaren, jeta e së cilës u ndërpre atë ditë të mallkuar.

“Cfarë tu thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e mbante dot ngashërimin. Nuk duroi dot që ti u bëre engjëll me krahë për të na parë nga lart. Shokët dhe shoqet e patën të vështirë të të mos përmendnin. E zgjuara, e shkathëta, Esiela jonë.

Do të të kujtojmë gjithmonë. Do të mbetesh një vogëlushe e mrekullueshme për të gjithë grupin tonë të klasës së tretë. U prehsh e qetë pranë prindërve të tu!”,– shkruan ndër të tjera mësuesja Eda Katroshi.

Postimi i Katroshit është shoqëruar nga dhjetëra komentuese të prekura nga tragjedia që preku këtë familje, që brenda një dite humbi 3 anëtare të saj.  

Postimi i mësuese Eda Katroshi: