Etnografiku, “lojë” institucionesh

11/03/2012 - 00:00

Muzeu Etnografik Durrës
<h4>Muzeu Etnografik Durrës</h4>

 

Bashkia e Durrësit kërkon që Ministria e Kulturës të marrë seriozisht në dorë fatin e shtëpisë-muze “Aleksandër Moisiu”, tashmë e kthyer pronarëve. “Është monument kulture dhe si i tillë është nën administrimin e dikasterit”, thonë vendorët, duke i ngarkuar Tiranës barrën e pagesës së qirasë mujore. “Muzetë vendorë janë kompetencë e pushtetit lokal”, thonë nga Tirana.

E ardhmja e Muzeut të Kulturës Popullore duket e turbullt. Njohja e të drejtës së pronësisë nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme familjes Noçka nga Tirana nuk jep siguri për qëndrimin e muzeut etnografik në ambientet ku ndodhet tani. Që nga viti 1983, Muzeu i Kulturës Popullore qëndron në shtëpinë me çardak të shekullit XIX, në të cilën për disa vite ka jetuar aktori i madh, Aleksandër Moisiu. Godina në fjalë gëzon statusin “Monument kulture i kategorisë së parë” për vetë vlerat arkitekturore dhe historike që ajo mbart. Ajo është nën administrimin e Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Monumenteve, ky i fundit ka të drejtën ekskluzive të kryejë restaurimin e kësaj godine, pasi për vetë specifikën që ajo ka, jo kushdo mund të ndërhyjë për të rregulluar dëmtimet. Po ndërsa Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme i ka njohur pronësinë e godinës familjes Noçka, Ministria e Kulturës dhe Bashkia duket sikur kërkojnë t’ia lënë njëra-tjetrës përgjegjësinë e lidhjes së kontratës së qirasë me pronarin e ligjshëm.

Përsa kohë familjes Noçka i është njohur prona, pjesëtarët e saj do të kërkojnë ose të kthehen të banojnë vetë aty, ose të lidhin një kontratë qiraje me institucionin që e ka në varësi. Pikërisht në këtë pikë çështja komplikohet pasi as Bashkia e Durrësit dhe as Ministria e Kulturës nuk e marrin mbi vete këtë barrë. Ndërsa burime zyrtare të Bashkisë së Durrësit bënë të ditur se është Ministria e Kulturës institucioni që ka nën administrim këtë godinë dhe për pasojë duhet të jetë ajo që do të lidhë kontratën me familjen Noçka, nga ana tjetër Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore ia kalon stafetën pushtetit vendor.

I pyetur nga gazeta “Dyrrah” për këtë çështje, drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Olsi Lafe u shpreh se,- “bashkia e Durrësit ka mjaftueshëm kapacitete e resurse për të lidhur kontrata qiraje si përdoruese e katit të dytë të muzeut "Aleksandër Moisiu". Është detyrim ligjor sipas legjislacionit në fuqi i bashkisë së Durrësit, ashtu siç është i çdo pushteti lokal për muzetë vendorë, që t'i përgjigjet pronarit në bazë të kërkesave që parashikon ligji. Këtë nuk po e them për të hequr përgjegjësinë nga vetja, por është detyrim i Këshillit Bashkiak që të miratojë shumën mujore që do t'i akordohet pronarit të ligjshëm, ose të aprovojë zhvendosjen e Muzeut të Kulturës Popullore në një tjetër ambient”.

Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Olsi Lafe thotë se është detyrim ligjor sipas legjislacionit në fuqi i bashkisë së Durrësit, ashtu siç është i çdo pushteti lokal për muzetë vendorë, që t'i përgjigjet pronarit në bazë të kërkesave që parashikon ligji. Këtë nuk po e them për të hequr përgjegjësinë nga vetja, por është detyrim i Këshillit Bashkiak që të miratojë shumën mujore që do t'i akordohet pronarit të ligjshëm, ose të aprovojë zhvendosjen e muzeut të kulturës popullore në një tjetër ambient

Është e vërtetë që në bazë të ligjit muzetë vendore, siç është ai i kulturës popullore administrohen nga pushteti lokal, por në këtë rast godina ku ndodhet ky muze është njëkohësisht monument kulture. Ish drejtori i Muzeut të Kulturës Popullore në Durrës, Sali Hidri, sqaron për gazetën se përsa kohë shtëpia me çardak, që i takon gjysmës së dytë të shekullit XIX-të gëzon statusin e monumentit të kulturës është ministria, institucioni që e ka këtë godinë nën varësi të saj të drejtpërdrejtë dhe në bazë të ligjit duhet të lidhë kontratën e qirasë me pronarin e ligjshëm. Në të njëjtën kohë objektet që ndodhen në inventarin e Muzeut të Kulturës Popullore i përkasin trashëgimisë kulturore kombëtare dhe janë nën mbrojtje nga drejtoria përkatëse që funksionon pranë Ministrisë së Kulturës.

Po t’i referohemi nenit 34 të ligjit Nr.9048, datë 7.4.2003 “Për trashëgiminë kulturore” aty thuhet shprehimisht: “Njësitë e qeverisjes vendore bashkëpunojnë me institucionet shtetërore të specializuara për ruajtjen dhe mbrojtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore, që ndodhen në territoret në juridiksionin e tyre. Ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore përcakton mënyrat e bashkëpunimit”. Pra është ministria ajo që vendos mënyrat e bashkëpunimit me pushtetin lokal për këto monumente. Aktualisht në këtë godinë gjenden zyrat e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe Muzeu i Kulturës Popullore.

Drejtoria e Kulturës Kombëtare pritet të zhvendoset pas disa muajsh në ambientet pranë Muzeut Arkeologjik, i cili i është nënshtruar rikonstruksionit. Pas largimit të punonjësve të kësaj drejtorie, në këtë godinë do të mbetet vetëm Muzeu Etnografik, fondi i galerisë së arteve figurative të qytetit dhe pikturat e sjella nga piktorët italianë për fondin e galerisë "Ibrahim Kodra". Nëse as Ministria dhe as pushteti vendor nuk do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të lidhur një kontratë qiraje me pronarët e godinës, një kontratë që sipas disa zërave vërtitet në shumën 1.000 euro, shtëpia mund t’i kalojë familjes Noçka, e cila do të ketë të drejtë të jetojë aty, por pa ndryshuar asgjë nga struktura e godinës, pasi çdo meremetim duhet të realizohet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Nëse kjo gjë do të ndodhë, atëherë do të duhet të gjendet një godinë tjetër ku të vendoset Muzeu i Kulturës Popullore.

Ekspozimi i objekteve të trashëgimisë kulturore të Durrësit në shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut deri tani duket si zgjidhja më optimale, pasi vetë Ministria e Kulturës dhe IMK-ja në projektin që kanë për dhënien e disa monumenteve me koncesion kanë parashikuar krijimin e muzeve të vegjël brenda këtyre objekteve për t’i bërë ato sa më atraktive për vizitorët vendas e të huaj. Për këtë arsye, zhvendosja e Muzeut të Kulturës Popullore do të ishte një humbje për trashëgiminë kulturore të Durrësit, por edhe për turistët. Zgjidhja më e mirë në këtë rast do të ishte gjetja e një gjuhe të përbashkët mes Ministrisë, pushtetit vendor dhe pronarit të godinës për qëndrimin e muzeut etnografik në po ato ambiente ku ndodhet sot.

SHTËPIA-MUZE

Etnografiku, 223 objekte të kulturës durrsake

Në muzeun e kulturës popullore qëndrojnë të ekspozuara rreth 223 punime artistike, objekte origjinale, dëshmi e mjeshtërisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave. Punimet artistike datojnë që nga vitet 1830-40. Krahas objekteve të muzeut etnografik, aty ekspozohen rreth 150 objekte që i përkasin fondit të muzeut “Aleksandër Moisiu”, ndërsa rreth 1400-1500 janë veprat artistike, kryesisht piktura dhe skulptura të artistëve durrsakë, që përbëjnë fondin e Galerisë së Arteve Figurative të qytetit. Gjithashtu në këto ambiente ndodhen dokumentet e mauzoleumit të dëshmorëve, të cilat shfrytëzohen nga historianë apo studiues të ndryshëm për botimet e tyre. Shtëpia muze e Aleksandër Moisiut është karakteristike e arkitekturës së viteve ‘900 dhe mbështetet në muret mesjetare të qytetit. Përveç amfiteatrit dhe Muzeut Arkeologjik, ajo përbën një tjetër objekt të rëndësishëm që dëshmon te vizitorët e shumtë, historinë dhe traditat etnografike të zonës së Durrësit si dhe mban gjallë kërshërinë për Moisiun e madh. Ajo është ndërtuar me dy kulla të vogla anësore, të cilat lidhen nga ana arkitekturore me një çardak. Struktura e jashtme është ndërtuar me gurë mesatarë katrorë. Në këtë ndërtesë ka kaluar fëmijërinë e tij aktori me origjinë shqiptare Aleksandër Moisiu, në vitet 1884-1889, ku ka kryer dhe vitet e shkollës fillore.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Orët e para të ditës do të paraqiten kryesisht të kthjellëta në të gjithë vendin, por vranësira kalimtare do të ketë në zonat malore.

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë mundur të bien dakort për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Ma

Hetuesit në Durrës duket se janë afër zbardhjes së atentatit ndaj vlonjatit Edison Harizajt dhe shokut të tij në afërsi të Plepave.

Gjesti fyes i ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, është përcjellë me vëmendje edhe nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë.

Shtyhet seanca në ngarkim të Arbër Çekajt dhe dy të arrestuarve të tjerë për sasinë prej 613 kg kokainë që u kap në Durrës.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Durrës ka ndërhyrë në fillim javë për të shembur betonimet e paligjshme që kishin ngushtuar kanal

Që nga fillimi i këtij viti portin e Durrësit e kanë vizituar 420 jahte, me flamurë nga të pesë kontinentet.

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Agim Ismaili nga Komisioni i Sigurisë bëri një deklaratë të fortë duke pohuar se nga burgu janë poros

Një “Benz” i braktisur në autostradën Durrës-Tiranë, i vjedhur më herët gjatë shtatorit, ka marrë flakë dhe është djegur plotësisht.