Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Gjirin e Lalzit, ku një familje me tre anëtarë nga Gjilani i Kosovës humbën jetën pasi konsumuan kërpudha ka folur djali i Afrim Halitit, i cili ndërroi jetë bashkë me gruan dhe nënën e tij.

Në një dalje për mediat, ai ka thënë se ka dyshime për mënyrën se si ata janë trajtuar nga mjekët në qendrën shëndetësore të Manzës. Sipas tij, 3 pacientë me simptoma të ngjashme nuk duhet të ishin çuar në shtëpi vetëm duke iu dhënë disa ilaçe.

Djali i viktimave ka treguar se ka biseduar me babain e tij në telefon dhe e ka vërejtur në të folur se ai nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Ai ka treguar se edhe qeni që ka qenë bashkë me familjarët e tij ka ngordhur, ndonëse nuk ka konsumuar kërpudha.

Sipas tij, familjarët e tij edhe më herët kanë mbledhur kërpudha dhe i njihnin ato mirë.

“Familja ka shkuar në shtëpi të vet. Ajo është shtëpia jonë, babi është me dokumenta edhe shtetas i Shqipërisë. Ata janë infektuar prej disa ushqimeve që i kanë ngrënë. Diçka që është shqetësuese për neve dhe e papërballueshme është neglizhenca e mjekëve. Tre pacientë me shku me të njejtin simptomë dhe me u kthy në shtëpi me barna, nuk është adekuate. Pra pa analiza pa kurfarrë përkushtimi me e liru pacientin në atë gjendje është diçka jo e duhur për çdo mjek. Ndërsa është e dyshimtë se edhe qeni ka ngordhur, ndërsa ai nuk ka konsumuar këpurdha, ai i ka ngrënë ushqimet e veta ndërsa është e dyshimtë se si ka ndodhur kjo”, ka treguar djali i Afrim Halitit.