Fati i projektit “Veliera” do te “vendoset” nga Tirana. Do të jetë Apeli i Gjykatës Administrative, i cili është në kryeqytet, ai që do të vazhdojë shqyrtimin e çështjes “Veliera”.

Pas afro 60 ditësh, duke tejkaluar çdo afat ligjor, gjyqtari i Gjykatës Administrative Durrës, Ergys Gashi, ka zbardhur vendimin, duke iu dhënë mundësi palëve në konflikt të bëjnë ankimimin në Apel. As bashkia Durrës dhe as shoqëria civile nuk u pajtuan me vendimin që mori Gjykata Administrative dhe tashmë presin verdiktin në Apel.

Në vendimin e Gjykatës Administrative thuhet se nuk duhet të kryhen punime në zonën arkeologjike A dhe të shikohet mundësia e ruajtjes së rrënojave arkeologjike që dolën në dritë gjatë gërmimeve.

Por pala paditëse që është shoqëria civile kërkoi anullim të projektit. Ndërkohë, bashkia nga ana e saj paraqiti ndryshimin e projektit që ruante vlerat arkeologjike dhe nga ana tjetër punimet do të vazhdonin duke mos i cënuar ato.

Por trupi gjykues me relator Ergys Gashin vendosi që në zonën arkeologjike A të mos ketë asnjë lloj punimi, ndërkohë që në zonat e tjera të sheshit të ndërtimit të vazhdojë puna.

Vendimi nuk kënaqi asnjërën nga palët dhe çështja tashmë do të vendoset nga Apeli. Sakaq, Ergys Gashi, relatori i trupit gjykues në Gjykatën Administrative në procesin “Veliera” do t’i nënshtrohet verifikimit të Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi nuk zbardhi vendimin brenda afatit të përcaktuar.

K.H.