BalkanWeb zbardh detaje nga rrethimi i banesës së shtetasit Roland Kryemadhi në Kamzë, i cili ngriti sot në këmbë jo vetëm policinë që kishte shkuar për ta shoqëruar, por edhe FNSH-të e RENEA.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë shkuar në banesën e shtetasit Ronald Kryemadhi, për ta shoqëruar në Gjykatë, në zbatim të kërkesës së saj, për shoqërim të detyrueshëm të tij.

Në momentin që shërbimet e Policisë kanë hyrë në banesë ky shtetas ka nxjerrë një armë zjarri pistoletë dhe ka kanosur punonjësit e Policisë për vrasje në rast se do afroheshin dhe më pas është mbyllur në banesë.

Menjëherë në ndihmë të Policisë lokale kanë shkuar forcat e DVP Tiranë, FNSH dhe RENEA dhe është bërë rrethimi i banesës, vendosja e perimetrit të sigurisë, evakuimi i banorëve dhe ndalimi i qarkullimit në perimetrin e sigurisë.

Pas negociatave të bëra nga Forcat Speciale RENEA me autorin, për t’u dorëzuar, ku i fundit, pas gjysmë ore, është vetëdorëzuar, në pamundësi për t’u larguar nga banesa.

Mësohet se negociatat me të dhe rrethimi ka zgjatur 40 minuta, minuta ankthi siç mësohet, gjatë të cilave ai kërcënonte se do vriste fëmijët e tij e më pas do qëllonte mbi policinë.

Zanafilla e ngjarjes daton një vit më parë, kur ndaj tij ishin ngritur akuzat për dhunë në familje dhe pengim i shkuarjes në shkollë të fëmijëve të tij. Pikërisht sot, policia i shkoi në banesë me urdhrin e gjykatës në dorë, por Kryemadhi reagoi duke nxjerrë armët.

Burimet thonë se bëhet fjalë për një të dyshuar me bindje ekstreme, i cili i pengonte fëmijët të mësonin me pretendimin se ata i shkollonte Allahu.

Gazetarja Klodiana Lala tha gjithashtu se gjatë rezistencës brenda banesës së tij ai ka qënë i armatosur me kallashnikov dhe pistoletë.

Negociatat e policisë kanë bërë që ai të ulë armët, edhe pasi është njohur me faktin se banesa e tij ishte e rrethuar nga të katërta anët.