Prokurori i Apelit të Tiranës, Luan Kaloçi është vendosur ditën e sotme përpara Vettingut. Në seancën dëgjimore të zhvilluar këtë të martë përpara Komisionit të Pavaur të Kualifikimit, Kaloçi është mbrojtur nga avokati Ardian Visha, ndërsa trupa e KPK përbëhej nga Xhensila Pine, V. Sanxhaktari dhe Etleda Çiftja.

KPK-ja ka lexuar raportin e ILDKPKI-së, sipas së cilës prokurori Kaloci ka deklarim të rremë të pasurive dhe fshehje të pasurisë. KPK-ja kreu hetim të thelluar mbi vetëm një komponent, që konkretisht është pasuria, sipas së cilës janë verifikuar mospërputhjet.

Pasuria e prokurorit/Deklarim kontradiktor për burimin e të ardhurave

Prokurori Luan Kaloçi ka një shtëpi 145 metra katrorë, me vlerë 52 mijë dollarë, e në deklaratë ka mospërputhje sa i përket vlerës së apartamentit. Dyqani i blerë në 2003. Burime sipas prokurorit është shitja e shtëpisë në Elbasan. Dyqani ka një sipërfaqe prej 132 m2.  E pikërisht për këtë pronë ka mospërputhje mes shifrave të deklaruara. Në 2003 deklarohet si burim fitimet në baste dhe dy hua. Në 2017 deklarohet si burim shitja e banesës në Elbasan. Në vitin 2003, prokurori thotë se i ka fituar paratë në një kompani bastes, Xhoi Lloto. Ndërsa në deklaratën e dorëzuar për efekt të Vettingut nuk e përmend këtë. Shuma e fituar në baste është 5.2 mln lekë.

Nga hetimi ynë rezultoi se s’kanë deklaruar në 2007, 5 mijë dollarë dhe 20 mijë euro në emër të gruas. Në 2009-ën ka fshehur 5 mijë euro. Nuk ka deklaruar blerjen e një makine në 2015 dhe që e kishte në emër të vajzës e më pas e ka shitur. Ndaj Kaloçit ka tre denoncime nga qytetarët. 

Replikat në seancën e KPK:

Avokati Ardian Visha: Jeni marrë vetëm me deklaratën Vetting, por s’keni shqyrtuar deklaratat ndër vite. ILDKP ka bërë raport subjektiv. Ka gabime e lapsuse, por jo fshehje. Kjo është pasuri modeste dhe është vënë në vitin 2003. Pasuria është brenda kufijve të familjes. Janë burim rroga, një kredi, një banesë e marrë nga Enti i Banesës dhe llotaria e fituar nga i biri. Ka pasur situata të atilla të njohura por asnjëherë s’ka pasur shtëpi të shitura 2 mln lekë. Kaloci ka hetuar e goditur bandat në Elbasan. Ka pasur rezultate kur ka drejtuar atë prokurori. 

Etilda Çiftja, anëtare e trupës gjykuese: Z.Kaloci, keni kërkuar të merret si provë një kontratë me vlerë me të vogël, por e kërkuar nga shitësi. Në 2018-ën deklaron çmim 52 mijë dollarë. Si i komentoni këto mospërputhje?

KPK: Në formularin e ILDKPIK në 2016 keni shkruar se vajza nga 2007 e deri në 2012 ka bërë shkollën në Itali. Dy huatë deklaroni se i keni marrë te dy qytetarë për të shkolluar vajzën. Thoni që i keni marrë huat në 2003-shin kur vajza e ka nis shkollën në 2007. 

Luan Kaloçi: Ka qenë një lapsus. Këto janë borxhe për fëmijë. Ishte një formalitet pasi ambasada kërkonte një depozitë për të dhënë të drejtë studimi. 

Përfaqësuesi i ONM, Theo Jacobs: Z.Kaloçi, apartamenti në Rrugën “Reshit Çollaku” ju thoni që çmimin e ulët e vendosët pasi ju kërkoi shitësi, kushëriri juaj. Çfarë arsye kishte ai? 

Luan Kaloçi: Arsye ka qene se në periudhën e blerjes së shtëpisë ka pasur një ligj. Shitësi paguante 1 ose 2% të vlerës së shitjes së sendit, pasuri e paluajtshme. Vlera e sendit ishte mbi 2 mln lekë. Kjo ishte arsye. 

Luan Kaloçi: Në atë periudhë, këto gjëra kanë ndodhur. Ka pasur informalitet i cili ishte i papërshtatshëm.

Luan Kaloçi: Më rikonfirmoni në detyrë. 

Ardian Visha: Pasuria e ligjshme dhe e ndershme.

KPK: Vendimi jepet më 5 korrik, ora 11:00. 

/Shqiptarja.com/