Mbrëmjen e 14 gushtit, qindra e qindra besimtarë orthodhoksë, por jo vetëm, kanë shkuar për të kaluar natën në mjediset e Manastitit të Shën Vlashit, në Durrës, për të kremtuar Fjetjen e së Tërëshenjtës Mari.

Kjo e kremte, e cila fillon mbrëmjen e 14 gushtit dhe mbyllet sot, më 15 gusht, me meshën e shenjtë, konsiderohet e rëndësishme nga besimtarët orthodhoksë, që ndryshe e quajnë edhe si “Pashka e Verës”.

Të ardhurit, shumë  prej të cilëve edhe familjarisht me gra dhe fëmijë që kanë bujtur këtu, vijnë nga rrethe të ndryshme, që në jo pak raste u përkasin edhe besimeve të tjera fetare.

Në këtë ditë të Fjetjes së Tërëshenjtës Mari, besimtarët ndezin qirinj dhe i luten hyjëlindëses për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe fatkeqësitë në jetë dhe për t’u sjellë fat në të ardhmen e tyre.

Lidhur me këtë të kremte të shënuar të kalendarit kishtar orthodhoksa, foli At Spiro Kostoli, i cili ka përcjellë edhe urimin për ditën e Fjetjes së Tërëshenjtës Mari

Ndërkohë, besimtarët, që kanë mbushur mjedisin e Manastirit të Shën Vlashit në këtë natë të shenjtë, shprehen për besimin që ata kanë dhe domethënien e qëndrimit në manastir.

Sot paradite, besimtarët kanë përmbyllur kremtimet e kësaj dite të veçantë, duke marrë pjesë në liturgjinë e shenjtë, pikërisht në Manastirin e Shën Vlashit.