Është duke vijuar faza e pestë e raundit të parë të regjistrimeve për të gjithë maturantët që do të vijojnë rrugëtimin akademik në një prej Institucioneve Arsimore të Arsimit të Lartë në vend. Në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, interesi nga ana e të rinjve ka qenë i lartë, ku vetëm në 7 ditë janë regjistruar mbi 1100 studentë. Në këtë intervistë për “Durrës Lajm”, dekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj tregon se interes të veçantë maturantët kanë shfaqur për programet e Fakultetit të Edukimit.

A mund të na flisni pak për Fakultetin e Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu”?

Fakulteti i Edukimit si një nga njësitë kryesore të Universitetit “Aleksander Moisiu” ka hapur dyert për studentët që prej vitit 2006, pra që me fillesat e Universitetit të Durrësit. Fakulteti ka një personel akademik me kohë të plotë prej 84 pedagogësh, të cilët gëzojnë tituj e grada shkencore si dhe kanë kualifikime në nivel kombëtar e ndërkombëtar sipas fushave të tyre të studimit. Megjithatë, vlera kryesore e pjesëtarëve të stafit akademik është lidhja dhe ndërveprimi i frytshëm që ata kanë vendosur me studentët, të cilat kanë qenë dhe janë fokusi i veprimtarisë së Fakultetit.

Lidhur me strukturën e Fakultetit, ai përbëhet nga gjashtë njësi bazë: Departamenti i Pedagogjisë, Departamenti i Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Sociologjisë, Departamenti i Gjuhës Shqipe, Departamenti i Letërsisë, Departamenti i Psikologjisë dhe Qendra për Edukim në Vazhdim. Programet e studimit që ofrohen në ciklin e parë janë: Mësuesi për arsim fillor, Mësuesi për Arsim parashkollor, Gjuhë angleze, Gjuhë gjermane dhe angleze, Psikologji, Filozofi-Sociologji, Gjuhë-Letërsi-Anglisht.

Ndërkohë, në ciklin e dytë të studimeve ofrohen këto programe studimi: Mësues për arsim fillor, Didaktikë, Mësues për gjuhën shqipe dhe letërsi, Mësues i gjuhës angleze, Psikologji shkollore dhe zhvillimore, Shërbime sociale dhe komunitare, Mësues i shkencave sociale, Edukim në vazhdim, Menaxhim dhe supervizim i institucioneve arsimore, Mësues për arsimin e mesëm të ulët në gjuhë shqipe dhe Letërsi-Gjuhë angleze.

Ka patur aplikime në Fakultetin e Edukimit në Durrës për vitin e ri akademik 2019-2020?

Fakulteti ynë ka patur kërkesa të larta për vitin akademik që po afron. Shifrat na tregojnë për interesin e kandidatëve për programet e studimit të Fakultetit të Edukimit dhe njëkohësisht për larminë e këtyre programeve sipas fushave përkatëse të studimit.

Cilat janë disa prej programeve më të parapëlqyera nga maturantët këtë vit?

Ndonëse është shfaqur interes i lartë për të gjitha programet  e studimit të ofruara nga Fakulteti i Edukimit, mund të përmendim “Psikologjinë” si programin i cili ka patur më shumë aplikime, si dhe “Mësuesi për arsim fillor” dhe “Gjuhë angleze” si ndër programet ku ka patur më shumë regjistrime deri tani. Megjithatë, duhet theksuar fakti se jemi vetëm në raundin e parë të regjistrimeve dhe kandidatët kanë ende mundësinë të zgjedhin të regjistrohen në programet e studimit të Fakultetit të Edukimit, të cilët i pajisin studentët me aftësitë e nevojshme për të qenë të suksesshëm në tregun e punës.

Sa vlerë ka realisht një diplomë edukimi në Universitetin “Aleksandër Moisiu”?

Institucioni ynë lëshon diploma të plota, në gjuhën shqipe dhe angleze dhe vlerësimi bëhet sipas sistemit ECTS dhe atij amerikan. Kjo ju mundëson studentëve tanë lexueshmëri dhe njohje të diplomës në vende të ndryshme të botës, si për studime dhe kualifikime të mëtejshme, edhe për punësim. Ne jemi të lumtur që herë pas here na kontaktojnë studentët tanë që tani punojnë arsimtarë në gjithë Shqipërinë, Kosovë, por edhe kur dëgjojmë arritjet e studentëve që vijojnë studimet pas universitare jashtë vendit.

Edhe pak javë na ndajnë nga nisja e vitit të ri akademik. Shumë të rinj mund të jenë ende në dilemë për programin e studimit që duan të ndjekin. Çfarë alternative ofron Fakulteti i Edukimit?

Fakulteti i Edukimit pasqyron arritjet cilësore të vetë Universitetit, veçanërisht në vitet e fundit. Fakulteti është angazhuar në projekte ndërkombëtare dhe studentët tanë mund të përfitojnë nga përvoja e pedagovëve të huaj që vijnë e japin mësim tek ne. Padyshim një pikë e fortë e fakultetit tonë është infrastruktura. Ne zhvillojmë leksione në një kampus universitar që nuk e ka asnjë universitet në Shqipëri. Siç e kam theksuar edhe më lart, kemi një staf akademik me grada shkenore, të shkolluar në perëndim. Këta të fundit janë angazhuar seriozisht që të përfshijnë edhe studentët në projektet e kërkimit shkencor dhe ky bashkëpunim ka rezultuar vërtet i frytshëm. Po ashtu ne jemi kujdesur të shtojmë marrëveshjet e bashkëpunimit me shkolla dhe insitucione të tjera në mënyrë që të ofrojmë praktika të vyera mësimore për studentët. Dhe në përfundim do të theksoja edhe mundësitë që kanë studentët e Fakultetit për të studiuar me bursë të plotë një semestër ose më shumë në një universitet perëndimor përmes projektit Erasmus +.