Sezoni turistik në Durrës ka rritur kohëzgjatjen e tij. Hotelet përgjatë bregdetit u prenotuan prej muajit maj deri në 15 shtator. Masat e marra nga bashkia këtë vit, kanë qenë efikase për operatorët turistikë në vijën bregdetare. Kështu deklaroi kreu i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, në një prononcim për "DurrësLajm".

"Pothuajse të gjithë hotelet janë të prenotuara dhe ajo që është më e rëndësishme është zgjatja e sezonit turistik, i cili nisi në ditët e para të majit e përfundon në 15 shtator. Vëmendje shumë e madhe po i jepet pastrimit të plazhin të madh deri në Shkëmbin e Kavajës. Në vëmendje janë rruga e plazhit dhe hapësirat publike," tha kreu i bashkisë së Durrësit.

Në zonën turistike është kryer pastrimi i bregdetit, plugimi dhe dezinfektimi. Ndërkaq në zonën e plazhit në Durrës, është disiplinuar qarkullimi rrugor i mjeteve të rënda, autobusëve, furgonave të mallrave etj.

Nëse autobusat nuk do të marrin leje në bashki, nuk do të lejohen të qarkullojnë në rrugën "Pavarësia". Furgonat e mallrave nuk do të lejohen gjatë ditës të kryejnë shpërndarje produktesh në këtë rrugë, po ashtu edhe kamionët e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë gjatë ditës,” deklaroi Dako.

Rruga "Pavarësia" është thellësisht turistike dhe qarkullimi i mjeteve në këtë segment është i kufizuar. Një vit më parë, bashkia vendosi tabelat e qarkullimit në këtë rrugë. Autobusët që sillnin pushues nga Kosova u ndaluan nga Qarkullimi Rrugor të hynin në këtë zonë.

Por kjo nuk ndodhi me autobusët që sillnin pushues të huaj. Reagimi i biznesit kosovar, bëri që bashkia të tërhiqej nga ky vendim, ndërsa këtë vit, të gjithë ata autobusë që duan të hyjnë në këtë rrugë, duhet të pajisen me leje në bashki.

K.H.