FNSH dhe RENEA kanë zhvilluar kontrolle të befasishme në Elbasan, Peqin dhe Cërrik mbrëmjen e sotme.

Mësohet se për pasojë janë shoqëruar disa persona, si të dyshimtë, të cilët kanë kundërshtuar edhe kontrollet e policisë.

Kontrollet vijnë pas vrasjeve të bujshme të ndodhura në Elbasan pak ditë më parë, ku u ekzekutuan Emiljano Ramazani  dhe disa ditë më pas edhe shoku i tij, Regis Runaj dhe Florian Lamçja, që u vra në orët e para të mëngjesit te djeshëm.

Emiljano Ramazani u ekzekutua rreth dhjetë ditë më parë, teksa kishte dalë nga ambientet e një palestre dhe po shkonte në shtëpi. Autorët dyshohet se kanë ndjekur çdo lëvizje të tij, ndërsa Emiljano Ramazani u ekzekutua me pesë plumba në makinë.

Për vrasjen e 39-vjeçarit, tri ditë më parë Policia njoftoi arrestimin e dy personave, në servisin e të cilëve është gjetur arma me të cilën u ekzekutua “Rramani”. Albert dhe Seit Mananhasa dolën dje para Gjykatës së Elbasanit, ku u mësuan me masën e tyre të sigurisë “Arrest me burg”.

Ndërkohë tre ditë më parë u gjet i pajetë në lagjen “Emin Matraxhiu” 22-vjeçari Regis Runaj. Ai u masakrua me thikë, ndërsa dyshimet e para të policisë hidhen tek e vetmja pistë, tek ajo e vrasjes në mënyrë mafioze të Emiljano Ramazanit.

30-vjeçari Florian Lamçja u godit me shishe qelqi dhe sende të forta nga dy shokët e tij të tavolinës, një ditë më parë, ndërsa humbi jetën në spital, ku u dërgua nga dy miqtë e tij, të cilët e dhunuan më parë deri në vdekje.

Për këtë ngjarje janë arrestuar Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinit.