Një krim i rëndë në familje ndodhi mëngjesin e djeshëm në zonën e Kamzës, në Tiranë.

Burri vrau me kallashnikov bashkëshorten e më pas u vetëvra. Ngjarja ndodhi në banesën e çiftit Halil e Dije Lita, që ndodhet në lagjen “Frutikulturë” të Kamzës. Policia e Tiranës është lajmëruar në numrin e emergjencave nga vëllai i autorit të krimit, i cili ka raportuar për të shtëna me armë zjarri.

halil lita

Por në momentin që shërbimet e komisariatit nr.5 kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur trupat e pajetë të bashkëshortëve, 65 e 60-vjeçarë. Burime nga Policia thanë se krimi i rëndë ka ndodhur në ambientet e brendshme të shtëpisë së çiftit Lita. Ndërsa trupat e pajetë të tyre, janë gjetur pranë njëri-tjetrit në kuzhinë, raporton gazeta “Panorama”.

Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, në shtëpi ndodheshin vetëm dy bashkëshortët. Pavarësisht se ata janë prindër të 5 fëmijëve, prej disa vitesh jetonin vetëm. Tri vajzat e tyre janë martuar, ndërsa dy djemtë jetojnë në emigracion, njëri në Britaninë e Madhe e tjetri në Itali.

Madje, njëri prej djemve kishte ikur nga Shqipëria ditën e shtunë, pasi kishte qëndruar për disa ditë pushime pranë prindërve. Ende nuk janë sqaruar tërësisht motivet e krimit, por po hetohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.